Nesër takohen Albin Kurti e Edi Rama – a do të flasin për skandalin e gazit lotsjelles?

Nesër takohen Albin Kurti e Edi Rama – a do të flasin për skandalin e gazit lotsjelles?

Një sërë temash pritet të diskutohen ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të qeverisë shqiptare, Edi Ramës, në takimin që dy liderët do ta zhvillojnë të martën në Tiranë.

Por mes Kurtit dhe Ramës ka bërë vend një tjetër temë që mund të diskutohet gjatë vizitës së parë të kryeministrit të ri të Kosovës në Tiranë: skandali i gazit lotsjellës.

Gazeta Insajderi ka zbuluar të hënën se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri.

Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. /Insajderi.com