Haxhiu anulon konkursin për noterët, procesi kthehet në pikën zero

Haxhiu anulon konkursin për noterët, procesi kthehet në pikën zero

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka anuluar procesin e emërimit të 79 noterëve për 35 komunat e Kosovës, proces ky i nisur më 23 korrik të vitit të kaluar, katër ditë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinajt.

Në një konferencë për medie ajo ka thënë se ka vendosur të mos vazhdojë me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

Sipas saj, ky proces nuk mund të shtyhet përpara për shkak të mungesës së ligjshmërisë dhe transparencës.

Pika e dytë e këtij vendimit, sipas saj, precizon që Ministria e Drejtësisë t’ua kthejë paratë kandidatëve që i kanë paguar për këtë proces.

Në qershor të 2019-s, provimin me shkrim për noterë të rinj e kishin kaluar së paku 50 kandidatë që ishin të afërm me njerëzit në politikë.

Procesi i noterisë në Kosovë përveç nga shoqëria civile është kundërshtuar ashpër edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë të ditur se në të ardhmen emërimi i noterëve do të mbikëqyret nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve.

E para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me të ardhur në pushtet ka paralajmëruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e marra nga ish-ministri i këtij Dikasteri Abelard Tahiri, duke përshirë këtu edhe emërimin e 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës.