Jo profesionalizëm në institucione publike (shtetërore)

Jo profesionalizëm në institucione publike (shtetërore)

Shkruan Prof. Dr. Musa Limani

Vështrim

Kritik profesional-shkencor publikimit të Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës 2018, duke përfshirë vërejtjet dhe sugjerimet.

Statistika është shuma e saktë e numrave të pa saktë

Lenini

Kuadrot profesionale paraqesin faktorin kryesor të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Mungesa e tyre, në institucione publike, paraqet devijime dhe jo profesionalizëm në punën dhe publikimet publike me të dhëna me rëndësi të veçantë për pasqyrimin e ecurive dhe rrjedhave ekonomiko-shoqërore. Është për të konstatuar se pas çlirimit në Kosovë, janë bërë ndryshime sistemore ekonomiko-shoqërore. Janë formuar institucione në bazë të sistemit të ri ekonomiko-shoqëror, me standarde evropiane. Kështu u formua edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Kuptohet, çdo fillim ka dhe vështirësitë e veta. Mirëpo, sido që të jetë, ASK-ja, arriti të formohet dhe të funksionojë si institut publik me rëndësi të veçantë për Kosovën. Kuptohet, ASK-ja, si institucion i ri ka sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet. Ky institucion publik, nga veprimtaria e vet, nxjerrë të dhëna të caktuara publike të rëndësishme për nevoja dhe analiza të ndryshme. Në kuadër të publikimeve të ASK-së, me rëndësi të veçantë është Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës. Si i tillë ai është mjaft i begatshëm me të dhëna të ndryshme publike, nga të gjitha fushat. Mirëpo, edhe për rreth kësaj, në përmbajtjen e këtij dokumenti, hasim edhe në zbrazësira, gabime e të meta të caktuara. Andaj, në mungesë të profesionalizmit, që është rezultat i politikës destruktive seleksionuese negative kadrovike në Kosovë, ku si kriter kryesor në punësim të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, është marrë partitizmi, militarizmi,  nepotizmi etj., e jo profesionalizmi. Politika e tillë  kadrovike është reflektuar edhe në publikimin: Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, që botohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), institucion i Qeverisë së Kosovës, në të cilin hasim në shumë gabime, jo vetëm gjuhësore, por edhe profesionale, metodologjike, terminologjike e materiale. E gjithë kjo është rrjedhojë e mungesës së kuadrove profesionale, edhe atë jo pse Kosova nuk posedon ekspert të të gjitha fushave, por pse është bërë seleksionim negativ e jo profesional i politikës kadrovike.

Andaj, me këtë rast, marrë guximin që të jap një vështrim kritik profesional-shkencor në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2018, që vlen edhe për Vjetarët e tjerë. Qëllimi i këtij vështrimi, nuk është që të kritikohet një institucion, por për të njoftuar opinionin e gjerë, se çka po ndodhë në institucionet tona publike, kur në to udhëheqin e punojnë jo profesionalist. Siç dihet, Agjencia e Statistikave të Kosovës paraqet institucion me rëndësi dhe kompetenca të veçanta, e cila grumbullon dhe publikon të dhëna publike statistikore me interes, në të gjitha fushat jetësore. Andaj, në këtë institucion duhet të kemi kuadro më eminente profesionale e me përvojë  të të gjitha fushave që përfshihen në përmbajtjen dhe strukturën e Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, do t’i veçoja vetëm ato më kryesore, duke u përqendruar vetëm në Vjetarin Statistikor të Kosovës 2018, që vlejnë edhe për VSK-së, para dhe pas tij. Të dhënat e publikuara në këtë dokument, paraqesin bazë për analiza empirike të fushave të caktuara, të cilat duhet të jenë reale dhe objektive.

I.Gabime metodologjike dhe përmbajtësore

  1. Përfshirja jo adekuate e kontingjentit të punës. Tregu i punës në Kosovë, karakterizohet me numër të madh të popullsisë aktive, përkatësisht me kontingjentin e punës (të cilin e përbanë grup-mosha e popullsisë, te meshkujt 15-64, kurse te femrat 15-59 vjeç). Të dhënat publike për kontingjentin e punës, merren kryesisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ndonëse, në Kosovë, për të dhëna publike që ofrojnë për tregun e punës kemi tri burime kryesore, e që janë: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që publikon të dhëna për tregun e punës nëpërmjet raportit “Puna dhe punësimi”, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila nëpërmjet raportit “Anketa e Fuqisë Punëtore”, ofron të dhëna për tregun e punës dhe Trusti i Kursimeve të Pensionistëve të Kosovës, i cili nëpërmjet raportit vjetor të “Kontribut paguesve” ofron të dhanë për të punësuarit në Republikën e Kosovës.

Karakteristikë e këtyre tri institucioneve publike, është se të dhënat publike që i ofrojnë për akterëte tregut të punës (numrin e të punësuarve dhe numrin e punëkërkuesve) dallojnë shumë prej njëra tjetrës, veçmas ato ndërmjet Agjencisë të Statistikave të Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Që të dy këto institucione publike (shtetërore), nën ndikimin e politikës, morën për detyrë të ulin, apo më mirë me thënë të paraqesin normë sa më të ulët të papunësisë. Për të realizuar këtë qëllim, që nga viti 2012, ASK-ja ndryshon metodologjinë e përfshirjes së punëkërkuesve, kurse MPMS-ja, që nga viti 2015, ndryshon formën e raportimit të punëkërkuesve, me anë të të cilave në mënyrë artificiale zvogëlohet norma e papunësisë. Këto ndryshime janë bërë për qëllime politike, për të treguar normën e papunësisë dukshëm më të ulët sesa është në të vërtetë, i cili veprim njëherit paraqet shtrembërimin e të dhënave publike dhe gënjeshtër publike të institucioneve publike.

Për realizimin e qëllimit të sipër cekur, më 06.04.2012, është aprovuar Ligji, nr. 04/L-083, për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve, ku sipas nenit 2, alenia 1.1. të këtij Ligji thuhet:  “Të papunësuar– janë personat prej moshës tetëmbëdhjetë (18), deri gjashtëdhjetepesë (65) vjeç, të cilët janë të papunë (as të punësuar me pagë, as të vetëpunësuar), të cilët kërkojnë punë aktivisht dhe janë të gatshëm për punë”. Ky Ligj ende është në fuqi. Madje, në nenin 10, alenia 2.4. thuhet: “Punëkërkuesit të cilit i ndërpritet mbajtja në evidencë, mundet përsëri të hyjë në evidencë si punëkërkues, pas kalimit të afatit gjashtë (6) mujor, nga data e ndërprerjes”.  Kështu, si neni 2 ashtu dhe neni 10, në njërën apo formën tjetër, ndikojnë në mënyrë administrative, së pari, në zvogëlimin e kontingjentit të punës, dhe, së dyti, në zvogëlimin e punëkërkuesve. Andaj, sipas këtij ligji del se, kontingjenti i punës në Kosovë përfshin grup-moshën e popullatës 18-65 vjeç, që është në kundërshtim me standardin ndërkombëtar të përfshirjes së popullsisë aktive. Me këtë rast zvogëlohet dukshëm numri i popullsisë aktive, përkatësisht kontingjenti i punës. Kështu, sipas regjistrimit të popullsisë 2011, kontingjenti i punës (grup-mosha 15-64) në Kosovë ishte 1.135.465 persona, kurse numri i popullsisë në grup-moshë 15-19 vjeç ishte 174.932 persona. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se me ndryshimin e grup-moshave në përfshirje në kontingjentin e punës nga 15 në 18 veç, ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të popullsisë aktive, për numrin e popullsisë së moshës 15-18 vjeçare, që duhet të jetë mjaft i madh, pasi që popullsia jonë është shumë e re. E gjithë kjo madje, është reflektuar në zvogëlimin e numrit të punëkërkuesve, pasi që sipas Ligjit të sipër cekur, “të papunësuar janë përfshi personat prej moshës tetëmbëdhjetë (18) vjeç, deri gjashtëdhjetepesë (65)”..

Sipas standardit ndërkombëtar, në të gjitha vendet e botës, kontingjentin  e punës e përbënë grup-mosha 15-64 te meshkujt dhe 15-59 te femrat. Andaj, kontingjentin e përgjithshëm të punës e përbën grup-mosha 15-64 e popullsisë. S’ka dyshim se ndryshimi i përfshirjes së popullsisë aktive nga 15 në 18 vjeç në Kosovë është bërë për qëllime politike, për të zvogëluar popullsinë aktive, në një anë, dhe, për të ulur normën e papunësisë në mënyrë artificiale, në anën tjetër. Kështu, me rastin e hyrjes në fuqi, përkatësisht me fillimin e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-083, në mënyrë administrative zvogëlohet numri i popullsisë aktive, përkatësisht i punëkërkuesve. Këtë më së miri e vërtetojnë këto të dhëna publike. Sipas  të dhënave publike nga Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2017, fq. 94, në vitin 2011, numri i punëkërkuesve ishte 325.261 persona, në vitin 2012, ky numër ishte 259.341, në vitin 2013 ishte 268.104, në vitin 2014 ishte 274.487, në vitin 2015 ishte 117.048, kurse sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës-askdata, ky numër në vitin 2012 ishte 135.700 (që ishte për 123.641 persona më i vogël se sipas VSK-së të të njëjtit vit), në vitin 2013 ishte 144.800 (që ishte për 123.304 persona më i vogël se sipas VSK-së), në vitin 2014 ishte 176.700 (që ishte për 97.787 persona më i vogël se sips VSK-së), si dhe në vitin 2015 ishte 145.800 (që ishte për 28.752 persona më i vogël se sipas VSK-së). Ja pra nga burimi i njëjtë publik, kemi dy të dhëna të ndryshme për numrin e punëkërkuesve. Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Cila e dhënë është e sakët e numrit të punëkërkuesve, ajo që figuron në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2017, apo në Agjencinë e Statistikave të Kosovës?! Të dhënat si të njërit ashtu dhe dokumentit tjetër janë publike dhe nga i njëjti institucion (burim). Andaj, sipas logjikës ekonomike, zvogëlimi i numrit të punëkërkuesve prej 189.561 (325.261-135.700) personave në vitin 2012, në krahasim me vitin 2011, është dashur të jetë i punësuar, që nuk ka as shans teorike të ketë ndodhë një gjë e tillë. Në vitin 2012, ishin të punësuar gjithsej 302.800 persona.

Në vitin 2014, në krahasim me vitin 2013, numri i të punësuarve, jo që nuk ishte rritë, por tregon rënia prej 338.364 personave, sa ishte në vitin 2013, në 323.508 personave në vitin 2014, apo ishte zvogëluar për 14.856 persona. Atëherë, shtrohet pyetja logjike. Si është e mundur që në të njëjtën kohë, të kemi zvogëlimin e të punësuarve dhe zvogëlimin e punëkërkuesve?!. Ky paraqet një paradoks të llojit të vet, që mund të jetë vetëm në Kosovë.

Madje, pas ndryshimit të formës së raportimit të punëkërkuesve nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, paraqet një paradoks i të dhënave publike për numrin e punëkërkuesve në raport me numrin e të punësuarve. Kështu, në vitin 2015, sipas ASK-së, numri i të punësuarve ishte 296.900 persona, kurse numri i punëkërkuesve 145.800 persona. Në vitin 2016, numri i të punësuarve ishte 331.800 persona, kurse numri i punëkërkuesve ra në 126,100 persona. Në vitin 2016, numri i të punësuarve në krahasim me vitin 2015, u rritë për 34.900 persona, ndërkaq për të  njëjtën periudhë numri i punëkërkueseve ra për 19.700 persona. Pra, këto të dhëna nuk përkojnë me logjikën ekonomike. Logjikisht, numri i punëkërkuesve në këtë periudhë, është dashurtë zvogëlohet më së paku për numrin e të punësuarve. Andaj, të gjitha të dhënat e sipër cekura tregojnë jo përputhshmërinë e të dhënave nga institucionet publike për tregun real të punës.

Andaj, të gjitha manipulimet me të dhëna publike për numrin e punëkërkuesve, janë shprehur në devijimin e normës reale të papunësisë në Kosovë. Në periudhën pas vitit 2012, në mënyrë rapide ndryshon, apo më mirë me thënë në mënyrë artificiale zvogëlohet norma e papunësisë. Nga të dhënat publike të Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës 2015, fq. 100, si dhe “Kosova në shifra” 2015, “Tregu i punës”, fq. 44, për vitin 2012, kemi këto të dhëna: numri i të punësuarve 302,844, numri i punëkërkuesve 268.104, kurse për vitin 2014, numri i të punësuarve 323.508, numri i punëkërkuesve 274.487. Andaj, sipas këtyre të dhënave të publikuara nga i njëjti burim ASK-ja, norma e papunësisë për vitin 2012, del të jetë 46,1%, e jo 30,9%, për vitin 2013, kjo normë do të ishte 44,2%, e jo 30,0%, kurse për vitin 2014, kjo normë do të ishte 45,0%, e jo 35,3%, sa i publikon ASK-ja. Këtë normë, po ashtu e konstaton edhe Banka Botërore, sipas së cilës norma e papunësisë në Kosovë është mbi 45,0%. Andaj, duke pasur parasysh gjendjen faktike të tregut të punës, sidomos numrin e vogël të të punësuarve, në një anë, dhe numrine madh të të papunësuarve, apo më mirë me thënë punëkërkuesve, në anën tjetër, po ashtu edhe unë mendoj dhe jam më se i bindur  se realisht norma e papunësisë në Kosovë është mbi 45,0%, ndoshta arrin edhe në 50,0%.

  1. Gabime në përkufizimin e variablave dhe në paraqitjen në formë matematike të llogaritjes së Bruto Produktit Vendor (BPV)

Për shkak të hapësirës së kufizuar, me këtë rast, për të konstatuar se ekzistojnë gabime në përkufizimin e variablave statistikore dhe në llogaritjen   BPV-së, po i marrim vetëm dy shembuj: përkufizimi i të lindurve gjallë dhe definicioni dhe paraqitja në formë matematike e llogaritjes së Bruto Produkti Vendor (BPV).

Rasti i parë. Në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2018, fq. 39, lidhur me lindjet e gjalla kemi këtë definicion: “Të lindur të gjallë-Dalja apo nxjerrja e plotë prej nënës së vet e produktit të koncepcionit pa marrë parasysh kohëzgjatjen e shtatzënisë, i cili pas ndarjes së tillë, merr frymë apo tregon ndonjë shenjë tjetër të jetës, siç janë rrahjet e zemrës, pulsimet e kordonit 39 mbilical, apo lëvizjet e përcaktuara të muskujve të vullnetshëm, pa marrë parasysh nëse është prerë apo jo kordoni 39 mbilical, apo në është shkolitur placenta”.Nga përmbajtja e këtij definicioni përfitohet përshtypja se ai është përkthyer tekstualisht nga gjuha angleze, e duke përdorur edhe fjalë të huaja, fjalitë në gjuhen shqipe nuk janë mjaft të qarta, të kuptueshme dhe përpilimi i fjalive, nuk përkojnë me natyrën e gjuhës letrare shqipe.

Në vend që të thuhet:

Fëmijë i lindur gjallë konsiderohet ai që pas lindjes, tregon shenja jete, si: frymëmarrje apo rrahje zemre, qoftë vetëm edhe për një kohë të shkurtër, pa marrë parasysh kohën e shtatzënisë së nënës. Shumë thjeshtë dhe qartë.

Rasti i dytë. Po në këtë Vjetar fq. 215, kështu definohet BPV sipas qasjes së shpenzimeve: “Është shuma e të gjitha shpenzimeve finale të mallrave dhe shërbimeve dhe bazohet në metodologjinë e Sistemit të Llogarive Kombëtare-SNA 2008. Këto shpenzime ndahen në tri grupe kryesore: konsumi final, formimi i kapitalit bruto dhe neto eksporti dhe importi (E-I). Meqë Bruto Produkti Vendor (BPV) matë prodhimin e brendshëm, vlera e të gjitha shpenzimeve të importit, zbritet nga të gjitha shpenzimet, duke përdoruru formulën: BPV=KF+FKB+(E-I). Kjo fjali dhe formulë është plotësisht e gabuar nga aspekti profesional e përmbajtësor ekonomik, si nga aspekti teorik, ashtu dhe pragmatik. Importi nuk ka shpenzime, ka vlerë të shprehur në para. Andaj, çka duhet kuptuar me “vlera e të gjitha shpenzimeve të importit, zbritet nga të gjitha shpenzimet”?!!. Me këtë rast është dashur të thuhet se nga vlera e shpenzimeve të përgjithshme (C+I+G), zbritet neto eksporti, përkatësisht diferenca e vlerës ndërmjet eksportit dhe importit (E-I). Po ashtu formula e dhënë më është plotësisht gabim. Nga kjo formulë është vështirë të kuptohet se si llogaritet praktikisht BPV, sepse në tab. nr. 19.3, fq. 222, kemi tri kolona të konsumit final: a) shpenzimet e konsumit final, dhe b) shpenzimet e konsumit final të popullsisë dhe shpenzimet e konsumit final të qeverisë dhe shenjën (+) para (E-I).  Tani shtrohet pyetja. Cilat shpenzime finale duhet marrë, sepse kemi tri kolona ku figurojnë shpenzimet e konsumit final. Madje, shenja (+) para (E-I), kuptohet se vlera e neto eksportit (NX), duhet shtuar shpenzimeve të përgjithshme, që është plotësisht gabim. Neto eksporti, zakonisht është negativ, siç është rasti me Kosovën, që gjatë tërë periudhës së pas çlirimit ishte negativ, pra kishim bilanc tregtar deficitar. Unë si ekonomist e kuptojë këtë formulë, por nëse një student apo dikush tjetër donë të dije si është ardhur deri te vlera e BPV-së, e ka problem sipas kësaj formule. Është për të ardhur keq, por nga kjo formulë nuk mund të kuptohet procedura e llogaritjes së vlerës së përgjithshme të BPV-së.

Andaj, paraqitja në formë matematike e llogaritjes së BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, para (E-I), nuk mund të shënohet shenje (+), por shenja (±) , sepse neto eksporti mund të jetë plus apo minus. Atëherë, sipas kësaj formule, nëse e kemi shenjën plus, do të thotë se dallimin ndërmjet eksportit dhe importit (E-I) duhet mbledhur me shpenzimet (elementet) tjera, edhe nëse është minus. Pra, nëse neto eksportin (NX), ia shtojmë shpenzimeve të tjera, që në Kosovë zakonisht është minus, atëherë del se BPV është për këtë vlerë më e madhe se vlera reale. Kështu, që formula është e shtruar gabimisht.

Madje, në këtë vjetar, definicioni i BPV nuk është dhënë i sakët. Ja si definohet BPV, nga aspekti teorik dhe pragmatik ekonomik. BPV është rezultat i punës-aktiviteteve ekonomike të ekonomisë së vendit përkatës në sferën e prodhimit dhe përbëhet nga të gjitha të mirat materiale të prodhuara dhe shërbimet e ndryshme finale nga subjektet ekonomike rezidente (vendore dhe të jashtme), brenda një viti, apo periudhë të caktuar kohore, që zakonisht merret një vit. Llogaritja e BPV, bëhet sipas tri metodave kryesore:

  1. Metoda e shpenzimeve. Sipas kësaj metode, BPV paraqet shumën e të gjitha shpenzimeve të të gjitha subjekteve për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve finale, të korrigjuara me neto eksportin (NX), që në pikëpamje matematikore është: BPV=C+I+G±NX,
  2. Metoda e prodhimit. Sipas kësaj metode, BPV paraqet vlerën e përgjithshme shprehur në para të produkteve finale të prodhuara dhe shërbimeve në ekonominë e vendit përkatës në periudhë të caktuar kohore, që zakonisht merret një vit. Andaj, sipas kësaj metode, BPV paraqet shumën e vlerës së shtuar, duke mos përfshirë shpenzimet intermediare (ndërmjetme).
  3. Metoda e të ardhurave. Sipas kësaj metode, BPV paraqet shumën e të gjitha të ardhurave të grupeve shpenzuese të tyre.

Po ashtu, si element i tretë që e përbëjnë BPV,  sipas definicionit të dhënë në vjetar, thuhet: neto eksporti dhe importi, që është plotësisht gabim. Duhet të jetë vetëm neto eksporti NX, pra dallimi ndërmjet eksportit dhe importit (E-I). Madje, BPV, nuk përbëhet prej tre elementeve, por prej katër, e që janë: C+I+G±NX. Atëherë, në një shembull konkret do të ilustrojmë këtë qasje të llogaritjes konkrete të BPV sipas metodës së shpenzimeve me të dhënave publike të mara nga ky vjetar. Kështu, kemi:

BPV = C + I + G ± NX (C=konsumi final i popullsisë, I=investimet, G=shpenzimet e qeverisë dhe ± NX (neto eksporti-dallimi ndërmjet eksportit dhe importit (E-I). Andaj, në bazë të kësaj formule, sipas të dhënave të këtij vjetari fq.222, tab. 19.3, BPV sipas qasjes së shpenzimeve me çmime aktuale, për vitin 2017, do të jetë:

BPV (6.282,2) = 5.293,0 (shpenzimet e konsumit final të popullsisë – C) + 1.819,9 (Investimet-formimi i bruto kapitalit – I), + 853,1 (shpenzimet e konsumit final të qeverisë G) dhe minus -1.683,9 (neto eksporti NX (E-I).

3.Qasja e gabuar metodologjike e llogaritjes së Bruto Produktit Vendor (BPV), me çmime konstante. Llogaritja e BPV me çmime konstante, ashtu si e bënë ASK-ja, në pikëpamje metodologjike është i gabuar, ndonëse edhe vendet në tranzicion bëjnë të njëjtin gabim. Në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2018, shih tab. 19.6, fq. 225, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Bruto Produktin Vendor, me çmime konstante e ka llogaritur duke marrë për bazë vitin paraprak për të llogaritë vlerën e vitit pasues. Kjo formë e llogaritjes së BPV-së, nuk paraqet të dhëna reale serike, por vetëm për dy vite, si dhe nuk përkon me metodologjinë shkencore dhe formën reale të të shprehurit të vlerës në çmime konstante të këtij treguesi global (sintetikë) më të rëndësishëm makroekonomik. Në kontekst të kësaj duhet thënë se, llogaritja e BPV-së me çmime konstante ka për qëllim të shpreh ndryshimet reale e strukturore të paraqitura në ekonomin e vendit në periudhë të caktuar kohore (në formë serike), pavarësisht nga ndryshimet e çmimeve-inflacionit. Pra, kjo formë e llogaritjes e eliminon inflacionin dhe shpreh vlerat reale të BPV. Ndërkaq, forma si llogaritet BPV-ja me çmime të vitit paraprak nga ASK-ja,, nuk e eviton inflacionin në rastin e të dhënave serike kohore.

Andaj, llogaritja e BPV-së me çmime të vitit paraprak, nënkupton që secili vit paraprak paraqet apo trajtohet si vit bazë, me ç’rast ponderi ndryshohet për çdo vit. Sipas kësaj metode të llogaritjes së BPV-së, krahasuese janë vetëm dy vite, e jo edhe vlera e të gjitha viteve të përfshira në seri kohore, edhe atë të vitit paraprak dhe të vitit pasues, të shprehura me çmime të njëjta. Prandaj, për të fituar serinë e të dhënave krahasuese të vlerës së BPV-së me çmime konstante për periudhë të caktuar kohore, është e nevojshme të zbatohet metoda “Chain-linking”. Sipas kësaj metode, vlera e  BPV-së e të dhënave  në mënyrë serike me çmime konstante, duhet shndërruar me çmime vetëm të një viti që quhet viti bazë e që është karakteristik për periudhën analizuese, të cilin e cakton ASK-ja, apo ndonjë institucion tjetër. Ky vit ndryshe quhet viti referues, i cili shërben për shndërrimin e vlerave të BPV-së në seri kohore me çmime konstante të vitit zgjedhor. P.sh. nëse dëshirojmë të japim në mënyrë serike vlerën e BPV-së të Kosovës për periudhën 2008-2018, me çmime konstante, atëherë caktohet një vit bazë, si bie fjala viti 2010, dhe në bazë të çmimeve të këtij viti, llogariten vlerat e BPV-së para dhe pas këtij viti, pra për periudhën në fjalë.

Andaj, duke u bazuar nga ajo që u cek më sipër, për analiza empirike, pasqyrë më reale të ecurive ekonomike të një vendi, përkatësisht paraqitja e vlerës reale e BPV-së, bëhet vetëm duke llogaritur vlerën e BPV-së me çmime konstante, të një viti, e jo të vitit paraprak, ashtu si e llogarit ASK-ja.

II. Gabime metodologjike dhe terminologjike në emërtimin e tabelave.

Me këtë rast do t’i prezantojmë vetëm disa raste më drastike rreth metodologjisë së formimit dhe emërtimit të tabelave në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2018. P.sh. në fq, 35, në emërtimin e hartës topografike kemi: “Shpërndarja e popullsisë në Kosovë 2011”. Termi “shpërndarja” më mirë do të ishe të zëvendësohet me “shtrirja”  apo “vendosja” e popullsisë.  Andaj, mendojë se më drejtë do të ishte që ky emërtim i kësaj harte të jetë: “Shtrirja territoriale e popullsisë së Kosovës sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011”. Madje, në fq. 36. tab. 2.8, kemi këtë emërtim:

Së pari, mendojë se emërtimi i kësaj tabele nuk përkon me sintaksën dhe natyrën e gjuhës shqipe. Nuk mund në të njëjtën fjali të përdoret dy herë i njëjti termë, siç është në këtë tabelë fjala “sipas”. Së dyti, po ashtu mendoj se termi “Popullsia e komunave” nuk është adekuat. Popullsia nuk është e komunave, por nëpër komuna. Andaj, emërtimi i kësaj tabele do të duhej të ishte: “Popullsia nëpër komuna sipas grup-moshave në bazë të regjistrimit të popullsisë 2011”

Madje, në fq. 95, tab. 9.3, kemi këtë emërtim:

Në këtë tabelë nuk figuron njësia valutore, nuk dihet se në çfarë njësie monetare janë shpreh këto vlera, në euro, dollar, lekë etj.

Ndërkaq, në të njëjtën faqe tab. 9.4, kemi këtë emërtim:

Në kuadër të tabelës, nëpër kolona prapë kemi të shënuar: “Punëkërkuesit”, p.sh. punëkërkuesit 2008, e kështu me radhë, që është e pa nevojshme. Andaj, në kolona duhet të figurojë vetëm viti, pasi në emërtimin e tabelës kemi fjalën punëkërkuesit. Në të njëjtën tabelë, kolona e parë kemi: “Niveli i aftësive”, në vend: “Niveli arsimor”, sepse në këtë kolonë prezantohen nivelet arsimore të punëkërkuesve. Madje te kolonat nëpër vite kemi fjalën: “numër”, në vend “numri”.

Madje, në fq. 97, tab. 9.7, kemi këtë emërtim:

“Shkalla ekonomike aktive” e kujt? E popullsisë, apo e punëkërkuesve. Madje, në tabelë kemi edhe strukturën gjinore, atëherë tabela duhej të emërtohej: “Shkalla ekonomike aktive e punëkërkuesve sipas viteve dhe gjinisë”. Ndërkaq, sa i përketë termit “shkalla” ekonomike, duhet zëvendësuar me termin “norma” ekonomike. Në këndin e djathtë të tabelës kemi simbolin (%). Nuk ka nevojë të shënohet ky simbol, pasi që pjesëmarrjet  e njësisë në total, shprehen në mënyrë relative (%). Termi internacional për “shkallë” për cilëndo kategori ekonomike, përdoret “norma”, si bie fjala norma e punësimit, norma e papunësisë etj. Kështu, p.sh. në gjuhen kroate nuk thuhet “stepen”, por “stopa”, zaposljenosti, “stopa” nezaposljenosti, apo në gjuhen frënge thuhet: tuax de amploiye, tuax de chomage etj. që nëgjuhen shqipe i përgjigjet termi “norma”, jo shkalla. Andaj, sipas mendimit tonë gjithkund ku është termi shkalla në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës, duhet zëvendësuar me termin norma.

Edhe më drastike është rasti në tab. Nr. 10.1, fq. 104, e cila emërtohet:

 Së pari, këtu na paraqiten dy periudha, nuk dihet cila është valide?, së dyti, në kënd të tabelës kemi shenjën (%), që tregon se fjala është për “strukturë”, e jo për “shpërndarje”, së treti, nuk preferohet që në emërtimin e tabelës të përdoret dy herë i njëjti termë, siç është në këtë rast termi“konsum” dhe, së katërti,.nuk thuhet “sipas grupeve të konsumit”, por sipas “destinimit të konsumit”. Madje, fjala, apo shprehja shpërndarje në gjuhën shqipe dhe si termë ekonomik, ka tjetër kuptim, e tjetër kuptim ka struktura. Atëherë, kjo tabelë sipas përmbajtjes së saj, duhej emërtuar: “Struktura e konsumit sipas destinimit në Kosovë, në periudhën 2003-2017”. E nëse në emërtimin e tabelës ceket termi “struktura”, tregon se fjala është për pjesëmarrjen relative (%) të elementeve të përfshira në vlerën totale, prandaj nuk ka nevojë që në këndë të tabelës të shkruhet shenja (%). Në fund të tabelës përdoret termi “Ushqimi i vet-prodhuar nga ekonomit familjare”, që nuk përkon me termin profesional ekonomik të kësaj kategorie të konsumit. Për këtë kategori të konsumit, kemi shprehjen “Vetkonsum”, apo “konsumi natyral”, në kroatisht: naturalna potrošnja, frëngjisht: naturele consume etj.

Madje edhe më drastike është tabela Nr. 10.3. fq. 105, ku kemi këtë emërtim:

Nga të dhënat e kësaj tabele shihet se fjala është për strukturën dhe burimet kryesore të të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë në periudhën 2005-2017. Andaj, nga përmbajtja e tabelës, emërtimi i saj duhej të ishte: Burimet kryesore dhe struktura e të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë në periudhën 2005-2017 dhe pa shenjën (%) në anën e djathtë.

Madje në fund të kësaj tabele kemi:

Kur në tabelë figuron termi “Gjithsej”, që shënohet me numër 100,0 nuk ka nevojë të shënohet shenja (%). Në këtë rast nuk shënohet 100, por 100,0. Kjo për arsye se, kur kemi të bëjmë me strukturë, elementet në tabelë tregojnë pjesëmarrjen relative (%), në vlerën gjithsej (100,0), jo me numra të plotë, por me presje dhjetore, p.sh. 12,5 etj. Bile edhe kur pjesëmarrja relative në totalin e ndonjë vlere, përputhet me numër të plotë (p.sh. 12) duhet shënuar 12,0.

Andaj, duke pasur parasysh përmbajtjen e kësaj tabele, ajo duhej emërtuar: “Burimet kryesore dhe struktura….”si u cek më sipër. Si të thuhet struktura, nuk ka nevojë në kënd të tabelës të shënohet (%). E njëjta gjë përsëritet edhe në fq. 106. Andaj, në këto dy tabela fjala është për strukturën, e jo vetëm për burimin e të hyrave të ekonomive familjare

Po ashtu, në fq. 111, tabela 10.6. emërtohet:

Emërtimi i tabelës është plotësisht gabim. Siç kemi cekur edhe më sipër, është rregull, se në titull të tabelës nuk mund të përdoret dy herë e njëjta fjalë, siç është rasti në këtë tabelë, ku dy herë ceket fjala “konsum”. Madje, në emërtimin e tabelës fjala nuk mund të zëvendësohet me ndonjë shkurtesë, siç është rasti në këtë tabelë (%): “Ndarja e shpenzimeve të kosnumit të ekonomive familjare, (%) e konsumit, në vend që të thuhet pjesëmarrja e…..Në bazë të të dhënave në këtë tabelë, vërehet se fjala është për  strukturë të shpenzimeve të përgjithshme, sipas destinimit të konsumit, jo për ndarje. Fjala “ndarje” në gjuhen shqipe dhe si termë ekonomik, ka kuptim tjetër, e nuk është kompatabil me termin “strukturë” Andaj, duke u bazuar në përmbajtjen e tabelës ajo do të duhej të emërtohej: “Struktura e shpenzimeve të konsumit të përgjithshëm sipas destinimit të ekonomive familjare në periudhën 2008-2017”, si dhe pa shenjën (%) në këndë të djathtë të tabelës.

Madje, në fq. 174, tabela 14.4, emërtohet:

Përmbajtja e të dhënave në këtë tabelë tregon se fjala është për strukturë të të punësuarve sipas lëmenjve (sektorve) ekonomik, e jo për shpërndarje. Termi, “Shpërndaja”, nuk është termë profesional ekonomik, për të shpreh “strukturën” e të të punësuarve. Andaj, kjo tabelë duhej emërtuar: “Struktura e të punësuarve sipas sektorëve ekonomik në periudhën 2008-2016”, pa e shënuar në anën e djathtëshenjën (%). Ndërkaq, në fund të tabelës kemi: Gjithsej   100    100  100, etj. që është gabim. Duhet të jetë: Gjithsej;   100,0, 100,0, 100,0, sepse pjesëmarrja relative e sektorëve ekonomik në numrin e përgjithshëm të të punësuarve është me presje dhjetore.

Në fq. 211, kemi tabelën nr. 18.9. që emërtohet:

Nga emërtimi i tabelës nuk dihet se për çfarë partneriteti bëhet fjalë. Ndonëse, në përmbajtjen e tabelës shihet së fjala është për qarkullimin e mallrave me disa vende të botës. Në emërtimin e tabelës, nuk figuron as njësia e as se në çfarë vlere janë të dhënat në tabelë, në kuptimin, në: mijë, milion etj. Madje, në kreun e tabelës në kolonën e parë shkruhet: “Top 10 vendet”, në vend që të shkruhet “Vendet kryesore”, kurse në vazhdim mungon të shënohet “Eksporti”. Sipas të dhënave në tabelën në fjalë, emërtimi i saj duhej të ishte: “Partnerët kryesor të Kosovës në qarkullimin e mallrave në vitet 2016, 2017”, në këndë me shënim (në 000 euro).

Kjo për arsye se nga emërtimi dhe forma e prezantimit të të dhënave në tabelën e sipër cekur, ashtu siç janë të shënuara, nuk dihet se për çfarë partneriteti bëhet fjalë dhe për çfarë vlere absolute. Kështu, p.sh. sipas të dhënave në këtë tabelë, vlera e eksportit me Shqipërinë në vitin 2016, ishte shënuar vetëm 42.053, dhe nuk dihet se në çfarë njësi monetare ishte në: lekë, euro, dollar etj. Andaj, sipas të dhënave në tabelë, kuptohet se kjo vlerë e eksportit të Shqipërisë, është vetëm 42.053 ???, kurse në realitet fjala është për 42.053.000 euro. Në këtë tabelë kemi edhe pjesëmarrjen relative të eksportit dhe importit të shprehur në (%) të këtyre vendeve, por nuk dihet se në raport të çfarë baze janë nxjerr këto shifra relative. Mendojë, se fjala është për pjesëmarrjen e këtyre vendeve në vlerën e eksportit dhe importit total të Kosovës në këto dy vite. Andaj, në fillim apo në fund të tabelës (Vlera) është dashur të shënohet vlera absolute e eksportit dhe importit  e Kosovës gjithsej, e në kolonën (%) duhej të jetë 100,0.

Në fq. 212, në tabelën 18.10, kemi këtë emërtim:

Së pari, emërtimi i kësaj tabele nuk është bërë drejt nga aspekti profesional. Së dyti, nëse thuhet “qarkullimi i mallrave” nuk ka nevojë të thuhet “në tregtinë”, sepse termi qarkullimi i mallrave me Shqipërinë në vete nënkupton transaksionet (tregtinë e jashtme) ekonomike, kurse me çfarë vlere janë të shprehura të dhënat në tabelë, nuk shënohen në këtë mënyrë(‘000 €-kjo është forma amerikane), por në këtë formë (në 000 euro). Në krye të kësaj tabele në kolonën e parë kemi “Periudhat”, kurse në tabelë janë të prezantuara vitet. Andaj, me këtë rast nuk është fjalë për periudha, por për vite, me ç’rast kjo kolon duhej emërtuar me “vitet”, që vlen edhe për tabelat në vijim. Andaj, në bazë të përmbajtjes së të të dhënave, kjo tabelë duhej emërtuar: “Qarkullimi i mallrave me Shqipërinë në periudhën 2005-2017”.

Më drastike është formimi i tabelës nr. 19.3. në fq. 222, e cila emërtohet:

Së pari, emërtimi i tabelave nuk shkruhet me shkurtesa, siç është rasti në këtë tabelë: BPV. Së dyti, në krye të kësaj tabele, kolona e parë dhe e dytë nuk janë të ndara, e në të cilën shënohet: “BPV me çmime aktuale”, që përfshinë të dy kolonat. Ndonëse është më tepër gabim teknik, por duhet ndarë këto dy kolona, ku kolona e parë paraqet vitet, kurse kolona e dytë BPV. Nëse në emërtimin e tabelës jepen çmimet, atëherë në kolonë nuk ka nevojë të thuhet BPV me çmime aktuale, por vetëm BPV. E njëjta vërejtje vlen edhe për tabelën nr. 19.4, në fq. 223.

Në faqen 268, në tabelën nr. 23.18, kemi këtë emërtim:Emërtimi i kësaj tabele nuk përkon me terminologjinë profesionale ekonomike, përmbajtjen, si dhe të dhënave në tabelë. Në tabelë prezantohen të  dhëna të kurseve devizore të valutave të disa vendeve në raport me euron, për periudhën e viteve 2011-2017 sipas viteve dhe muajve. Andaj, fjala është për kurse devizore(Exhange rates), e jo për shkallën e këmbimit. Prandaj, termi “shkalla” e këmbimit në këtë rast nuk është adekuate, si dhe është jo profesionale, sepse fjala është për kurse devizore(valutore) të këmbimit, e jo për shkallën e këmbimit. Andaj, në bazë të përmbajtjes së të dhënave në këtë tabelë, emërtimi i saj do të duhej të ishte: “Lëvizja e kurseve devizore të këmbimit të valutave të disa vendeve të botës, në raport me euron, në periudhën 2011-2017, sipas viteve dhe muajve”.

Në fund, duhet cekur se edhe përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate ka shumë gabime gjuhësore e terminologjike. Me këtë rast po sjellim disa shembuj, të marra në Buletinin tremujor, prill 2019. Nga gjuha shqipe emërtimi i tabelës “BPV në baza tremujore me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale”, është përkthyer në gjuhen serbe: ”BDP u tromesečnoj periodici prema rashodnom pristupu u trenutnim cenama”. Përkthimi në serbisht është gabim, kjo fjali në gjuhen serbe do duhej të ishte:“BDP na tromesečnoj osnovi prema troškovnom pristupu u tekućim cenama”. “Shpenzimet” në gjuhen serbe, janë “troškovi”. Madje, kemi edhe këto raste të marra nga i njëjti dokument (Buletini). Nga gjuha shqipe “mesatarja vjetore”, në gjuhen serbishte është përkthyarë: “prosek godine”, në vend “godišnji prosek” (fq. 60). Madje, emërtimi i tabelës “Bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi”, që në gjuhën serbe është përkthyer: “Poljoprivreda, lov i ribarstvo”. Nga konteksti i emërtimit të tabelës, mendojë se fjala “peshkimi” është dashur të jetë “peshkataria”. Përkthimi në serbishte, nuk është identik, me tekstin në gjuhen shqipe.Në përkthimin serbisht, nuk është përfshi pylltaria (šumarstvo), kurse termi “peshkimi” është përkthyarë “ribarstvo” që në shqip do të thotë peshkataria-degë ekonomike, në vend “ribolov” që i përgjigjet fjalës “peshkim” (fq. 61). Andaj, fjalia nga gjuha shqipe “Bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi” është dashur të përkthehen në gjuhen serbe: “Poljoprivreda, lov, šumarstvo i ribarstvo”. “Pagat neto mesatare të paguara në baza mujore në sektorin e buxhetit në Euro”, po ashtu nuk është identik me tekstin në gjuhen shqipe dhe është përkthyer në gjuhen serbe:“Neto prosečni mesečni dohoci u sektoru budžeta u Euro” (fq. 10), përkthimi plotësisht gabim. Fjala “Paga” është përkthyerë “Dohoci”, që në kuptimin ekonomik këto dy terma kanë dallime përmbajtësore. Paga, apo “Rroga” paraqet shumën e të hollave mujore që merë punëtori, si kundë rvlerë për punën e kryerë. Po të ishte përdorur në gjuhën shqipe termi “të ardhurat personale”, atëherë në gjuhen serbe do të përkthehej “lični dohoci”. Andaj, “paga” në gjuhen serbe do të përkthehej “plata” ose “plaća” kroatisht, por jo “dohodak”. Termi ”Dohoci-dohodak”, në gjuhën shqipe ka kuptimin “të ardhurat”. Për shembull, të ardhurat e ndërmarrjes, që paraqesin të hyra në bazë të veprimtarisë së saj afariste, por jo pagën. Andaj, fjalia e sipër cekur në gjuhen shqipe “Pagat neto mesatare të paguara në baza mujore në sektorin e buxhetit në euro”, në gjuhen serbe do të duhej të ishte: “Neto prosečne plate isplaćene po mesečnoj osnovi u budžetskom sekturu u euro”. Andaj, duke pasur parasysh të gjithë shembujt e sipër cekur, shihet se përkthimi në gjuhen serbe, nuk përputhet, apo më mirë me thënë nuk është kompatabil me tekstin në gjuhen shqipe.Prandaj, sido që të jetë, teksti si në gjuhen shqipe ashtu edhe në gjuhen serbe, domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohet lekturimit dhe korrektimit në tërë Vjetarin Statistikor.

III. Në vend të konkludimit

Duke u bazuar nga ajo që kemi potencuar në vështrimet e sipër cekura, del konstatimi se, ka shumë vërejtje gjuhësore, materiale, metodologjike dhe terminologjike, thuaja se në çdo faqe të Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës, por me këtë rast kemi prezantuar ato më drastike.

Andaj, duke u bazuar në vështrimin kritik profesional-shkencor që i bëmë Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës 2018, që vlen edhe për vjetarët e tjerë. mund të nxjerrim këto konstatime dhe propozime:

  1. Nevojitet që urgjentisht të bëhet ndërhyrja profesionale-shkencore në përmirësimin dhe evitimin e gabimeve gjuhësore, materiale, metodologjike dhe terminologjike në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës (VSRK). Nuk mund të lejohet që edhe më tej, një dokument publik shtetëror, siç është VSRK të botohet me këso lëshimesh e gabimesh.
  2. Nga terminologjia e përdorur në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës, sikur fitohet përshtypja, se është bërë përkthimi tekstualisht i termave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe. Çdo gjuhë ka natyrën dhe sintaksën e vetë, andaj edhe gjuha shqipe. Prandaj, përkthimi tekstualisht nga gjuha angleze, apo nga cilado gjuhë qoftë, në gjuhën shqipe e humbas kuptimin.
  3. Është e domosdoshme të bëhet lektura dhe korektura, si në tekstin në gjuhën shqipe ashtu dhe serbokroate në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës. Ka shumë emërtime të tabelave që nuk përkojnë me gjuhen shqipe dhe përmbajtjen e tyre.
  4. Është imperativ kohe dhe më se e nevojshme, formimi i një komisioni, duke inkorporuar më së paku nga një përfaqësues profesional nga të gjitha fushat përkatëse, si: në ekonomi, shëndetësi, gjeografi, demografi etj., që përfshihen në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës,, për të shqyrtuar përmbajtjen, terminologjinë profesionale-shkencoredhe plotësimin me të dhëna të reja. P.sh. në fushën ekonomike mungojnë, pos tjerash, dy tregues global makroekonomik me rëndësi të veçantë për analiza empirike, siç janë: Investimet dhe Amortizimi

Investimet. Për analiza makroekonomike me rëndësi janë “Investimet e përgjithshme të realizuara në fondet kryesore, sipas strukturës teknik (në ndërtimtari, pajisje me montim dhe të tjera), karakterit të ndërtimit (kapacitetet e reja, rekonstruimi, zgjerimi, modernizimi etj.), dhe burimeve financiare (mjetet vetanake, mjetet e bashkuara, kredit financiare, mjetet e tjera), të gjitha këto sipas lëmenjve  ekonomik, si dhe “Investimet e reja në fondet kryesore sipas karakterit të ndërtimit dhe strukturës teknike”, po ashtu sipas lëmenjve ekonomik.

Amortizimi. Ndonëse, amortizimi paraqet kategori llogaritëse kontabël, ai shërben për të llogaritur disa tregues global makroekonomik: si të ardhurat kombëtare (TK), investimet neto (IN) etj.

  1. Duhet bërë dhe është më se e nevojshme reduktimi i formimit të tabelave, nga një tabelë nuk mund të formohen disa tabela, siç është rasti tani në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës, si dhe emërtimi i drejtë i tyre sipas përmbajtjes se elementeve që përfshihen në tabelat përkatëse.
  2. Kopërtinat e Vjetarit duhet të jenë me lidhje të fortë dhe më të qëndrueshme. Vjetarëve të tanishëm u mungojnë të dyja, ndonëse kjo është çështje teknike, por e nevojshme. Me një përdorim të VSRK të tanishëm, u shkëputen fletët dhe si i tillë bëhet i pa përdorshëm, si në momentin aktual ashtu dhe në periudhë të ardhshme.
  3. Të bëhen përgatitjet intensive dhe profesionale për regjistrimin e popullsisë. Ka indikacione se regjistrimi i popullsisë së Kosovës në vitin 2011, nuk ishte real. Numri i përgjithshëm, lëvizjet natyrore dhe struktura ekonomike e popullsisë, janë më se të nevojshme për analiza ekonomike, shoqërore, sociale etj. që shtron nevojën e regjistrimit të popullsisë, kohësisht sa më parë që është e mundur.
  4. Mos saktësinë e popullatës rezidente, më së mire e vërteton numri i votuesve, që në zgjedhjet e tanishme të parakohshme arrin shifrën 1.937.869 votues, që është më i madh për 157.848. persona se numri i popullsisë (1.780.021) sipas regjistrimit të vitit 2011, apo për 142.203 persona se numri i popullsisë sipas vlerësimitë vitit 2018 . Numri jo i sakët i popullsisë rezidente që ofron VSRK, shtrembëron edhe disa tregues makroekonomike, si: BPV për një banor, kontingjentin e punës etj.

Dhe krejt në fund, duhet theksuar se, nga e gjithë ajo që u cek më sipër në këtë vështrim kritik profesional-shkencor, na shpie në konkludim se, nuk duhet lejuar publikimin e një dokumenti me rëndësi të veçantë, siç është Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, dhe i botuar nga një institucion publik (ASK) i Republikës së Kosovë, me gabime të shumta gjuhësore, terminologjike, metodologjike, profesionale e shkencore. Gjuha e unjësuar letrare shqipe, ka standardet e veta, si: gramatikën, sintaksën, morfologjinë dhe terminologjinë e saj. Mirëpo, edhe për rreth kësaj, tekstit të Vjetarëve Statistikor të Republikës së Kosovë, u mungojnë të gjitha këto postulate të gjuhës letrare shqipe. Kjo na shpie në konstatim se, teksti i këtij dokumenti, nuk i është nënshtrua rlekturimit e as korrekturës. Andaj, mos lekturimi dhe korrektimi i tekstit në VSRK-së, jo vetëm që nuk justifikohet, por është i papranueshëm dhe përdhosje e gjuhës letrare shqipe. Me fjalë të tjera, ky fenomen paraqet edhe diskriminim të gjuhës së unjësuar letrare shqipe. Është obligim ligjor e moral që në botimet publike, siç është VSRK-së, duhet të përdoret (shkruhet) gjuha e unjësuar letrare shqipe me normat e saja. Nuk mund të lejohet që gjuha shqipe të bëhet “strajcë” jevgu, të fusim në te çka na ofrojnë të tjerët. Gjuha letrare shqipe, ka normat dhe terminologjinë e saj, në të gjitha fushat, andaj edhe në fushën ekonomike. Andaj, për të ruajtur gjuhën shqipe nga pastardhimet, përdorimi jo adekuat dhe futja e termave e fjalëve të huaja, është imperativ kohe dhe imediate, që sa më parë, si nëKosovë ashtu dhe në Shqipëri të nxirret Ligji për ruajtjen e gjuhës shqipe. Në Francë ekziston Ligji, nëse përdorë terma të huaja, a ekziston në gjuhen frënge, ka bërë vepër penale.

Andaj, urgjentisht duhet intervenuar, evituar dhe përmirësuar të gjitha gabimet përmbajtësore, gjuhësore, materiale, terminologjike, metodologjike, profesionale e shkencore që e karakterizojnë (përcjellin) Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës. Është, jo vetëm e pa arsyeshme, por edhe e pa justifikueshme  dhe e pa pranueshme në pikëpamje profesionale, që në publikimin e një institucioni të Qeverisë, siç është Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, të dal me gabime të shumta që i kemi përfshirë në këtë vështrim dhe të tjerat të cilat nuk janë të përfshira, me këtë rast. Andaj, publikimi edhe më tej i Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës me këto gabimet, paraqet më shumë se skandal profesional-shkencor dhe gjuhësor.

E gjithë kjo që u tha më sipër, imponon organizimin e një takimi urgjent profesional-shkencor ndërmjet Qeverisë dhe Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës, ku do të duhej të mernin pjesë edhe profesionalistet e fushave përkatëse, veçmas ekonomist edhe jashtë strukturave shtetërore e politike. Kjo, për arsye të evitimit të gabimeve profesionale e teknologjike që do të devijonin analizat empirike ekonomike dhe të fushave të tjera.