Kombi shqiptar dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme!

Shkruan: Florie Bajoku

Kombi shqiptar dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme!

Guri i pagdhendur i ndërtimit janë NJEREZIT; si masë janë të vrazhdë dhe të paorganizuar. Guri perfekt i ndërtimit, ose guri kubik, simbol, i përsosmërisë, është SHTETI, administratorët që i marrin kompetencat e tyre nga pëlqimi që i jepet qeverisë, kushtetutat dhe ligjet që flasin për vullnetin e popullit dhe qeveria harmonike, simetrike, efikase, -kompetenca e shpërndarë dhe e rregulluar siç duhet e në ekuilibër. (citat: Albert Pike).

Kosova në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare pothuajse është inekzistente dhe totalisht e pasubjektivitet në qëndrime, pa formë e trajtë! Që të tërheqësh vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare nuk duhet të jesh shtet i madh territorial domosdoshmërish, por duhet të jesh tendencë-kreativ, me moral politik, me filozofi të qartë e vizion, me urtësi e mençuri, (sepse ti je viktima e jo agresori)….kjo vlerë është e munguar edhe nëpër instancat më të larta të BE-së , fatkeqësisht!…. Shqipëria e Kosova pse jo edhe Maqedonia e Veriut janë strukur nëpër margjinat e pallateve diplomatike, duke pritur vëmendje nga ndërkombëtarët, thuajse ata janë vet’ Zoti!!

Ku janë rreshtuar shtetet shqiptare në Ballkan, në Europe në Botë?

Pas cilave vlera, pas cilave shtete e aleanca që proklamojnë e “mbrojnë” vlerat universale të të drejtave të njeriut e “janë” promotore të demokracisë në botë, ku janë ato shtete europiane?.

Ku është Europa? A do të duhej të ishte gardiane e këtyre vlerave pa dallim, e jo “sikur” sjellin drejtësi, ashtu sikurse ligji duhet të duket se sjell drejtësi, por në të vërtetë kurrë nuk ia arrin!…prandaj,….shtetet shqiptare duhet të bëhen një me apo pa dëshirën e tyre, dhe të ndjekin politika strategjike të prodhuara në Tiranë e Prishtinë pse jo edhe Shkup (ku shqipëtarët janë pjesë konstituive),….e jo politika të prodhuara diku nëpër kancelaritë ndërkombëtare pa pjesëmarrjen shqiptare, …..askush nuk mund ta mohojë sovranin e një vendi, bile as lufta agresive diplomatike, ekonomike apo e armatosur, është vërtetuar një gjë e tillë me mijëra herë gjatë historisë.

Shtetet shqiptare pikësëpari të çmojnë parimet që i takojnë popullit me të civilizuar europian, jemi kombi me jo hegjemon në historinë e njerëzimit. Mbi këtë argument të fillojnë ta shohin veten në pasqyrë dhe t`i kthehen vetvetes, dhe të luftojnë pa kompromis të gjitha nismat e tentativat rajonale, që për qëllim kanë denigrimin dhe kontestimin tonë si komb kualitativ i ndërtuar mbi varre shekullore, për të mbrojtur vetën.

T’u kthehet dinjiteti institucioneve shtetërore, të heqim dorë nga kriteret individuale, e të fuqizojmë ato institucionale, të kthejmë besimin në komb e shtet.

Shtetet shqiptare me nuk mund të fajësojnë më bashkësinë ndërkombëtare për copëtimin apo kontestimin shtetëror tonin, nuk mund të fajësojnë më bashkësinë ndërkombëtare për sistemin e drejtësisë, për injorancën dhe urinë e tyre për t’u vetë shkatërruar; pa arsim, pa art!!

Shtetet shqiptare si nuk e kuptuan se sa vlerë kanë në arenën ndërkombëtare? e di pse se kuptuan,… si mund t’i bëj ballë diplomacisë europiane filistinizmi qeveritar dhe injoranca e institucionalizuar. Qeveritë shqiptare (përveç Ibrahim Rugovës e Arben Xhaferit), kanë përgjegjësi kombëtare, për mjerimin në të cilin e kanë futur kombin!

Qeveritë shqiptare nuk kanë një plan strategjik për përfaqesimin e interesave të shqipëtarëve në Ballkan, a kanë?…shqipëtarët janë “pikë e pesë”, si një komb pa vlere!!

Mbrojtësit e krishterimit, udhërrëfyesit modern të demokracisë së vërtetë me mjete paqësore, kujdestarë të dhembshur e respektues fundamental të vlërave sublime universale të të drejtave të njeriut; këta janë vetëm disa shembuj që kanë dalë nga shqipëtarët, që Europa duket se i ka vënë në harresë!

Shtetet shqiptare sot, nuk kanë cka kërkojnë të jenë pjesë e Europës pa qenë brenda standardeve!!….ne jemi tepër larg popujve europian, ata kanë evoluar shumë në arsim, art, ekonomi etj.

Shtetet shqiptare kanë nevojë të përjetojnë një katarzisë “shpirtërore, kulturor e ekonomik”, shqiptarët duhet t`i KTHEHEN VETËVETËS, para se të bëhen pjesë zyrtare e vlerave të Europës, sepse duhet të kristalizojnë vlerat origjinale autoktone fillimisht.

Shtetet shqiptare duhet të konsolidojnë institucionet dhe të bëjnë valorizimin e vlerave, ato duhet të bëhen shtete kualitative para se të aderojnë në BE.

Shteti shqiptar, kryeministri shqiptar në asnjë rast nuk duhet të hyje në marrëveshje bilaterale apo trilaterale me Serbinë e as me Maqedoninë e Veriut, pikësëpari për shkak se do përjetojë bumerang politik e ekonomik, vet’ si pikë e parë, pse të marrë mbi vete hipotekat e Serbisë?, para se të përfitojë apo të përfillë kriteret dhe rekomandimet “në sfond” të BE-së karshi “parimit” të bashkëpunimit rajonal!.

Mbi kartën e hapjes së negociatave, Shqipëria është duke u futur në obligime që do t’i dëmtojnë interesat e përgjithshme shqiptare në Ballkan, (mos të harrojë kryeministri i Shqipërisë se Mogherini dhe Hahn patën premtuar decidivisht në mënyrë eksplicite se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do të liberalizohen vizat)!.

Kosova është në GETO “MODERNE”…BE-ja vetë e ka zbehur dhe tundur besimin e shqiptarëve në të (por jo në vlerat që proklamon ajo), dhe duke mos i kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës për këtë “gënjeshtër ordinere”, e as duke i dhënë llogari ndokujt!..e çuditshme!.

Prandaj shtetet shqiptare duhet të ndjekin parimin e interesave kombëtare e shtetërore para atyre ekonomike e bashkëpunuese.

Kryeministri i Shqipërisë parimisht do të duhet të ndjekë politika morale karshi Kosovës pastaj edhe vetvetes, është naive dhe e patolerueshme që me Serbinë të ketë çfarëdo lloj bashkëpunimi para se Serbia të kërkoje falje për luftën dhe dëmet që ia ka bërë Kosovës dhe jo vetëm.

Asnjë agjendë Europiane e Amerikane nuk do t’a kërkonte, e nuk mund të të detyrojë të shkelësh mbi këtë parim, sepse jemi një komb, është vlerë fondamentale të mbrosh bashkëkombësit, por edhe sikur të mos ishim.

Ta zëmë se në vend të Kosovës do të ishte Mali i Zi, para se Serbia pra hipotetikisht t’i kërkonte falje Malit të Zi, Shqipëria nuk do të duhej të ndërtonte marrëdhënie bilateral, sepse kjo e bën Serbinë të besojë se qasja e saj hegjemone, gjenocidiale e ekspansioniste është e drejtë dhe s`ka pse të sanksionohet apo ndëshkohet, dhe që nuk përfill vlerat evropiane dhe Shqipërinë e bën një vend që nuk respekton parimin e të drejtave të njeriut!!??

Shteti i Kosovës nuk ka punë me Serbinë, por Serbia ka punë me neve….Kosova është avant-garde në këtë proces, pikë.

Kosova ka aq shumë argumente sa të tretë të gjitha agjendat ndërkombëtare që kushtimisht do të mund të impononin zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi, jashtë vullnetit të shqiptarëve të Kosovës.

Pa i kërkuar sinqerisht falje Serbia Kosovës, asgjë nuk mund të bëhet e që do të ishte e qëndrueshme! Sepse shtetet o dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie bilateral dhe të njihen reciprokisht, o nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë.

Asnjë çështje nuk është e hapur me Serbinë, Kosova është shtete i pavarur dhe sovran brenda kufijve të vet, sipas GJND-së, dhe nuk ka bërë shkelje ndërkombëtare kur ka shpallur mëvetësinë. Të gjitha çështjet tjera zgjidhen pas njohjes reciproke.

Dy çështje janë: kërkim falja-obligative, njohja reciproke me marrëveshje.

SHBA-ja dhe BE-ja, duhet ta kenë të qartë se ne kemi nevojë për arsim e art, ne nuk jemi të gatshëm të hyjmë në marrëveshje të cilat na largojnë nga akti final i njohjes reciproke, përveç njohjes reciproke të pakusht në kufinjt ekzistues, asnjë opsion tjetër nuk do të ishte zgjidhje por vetëm komplikim e prolongim të vetë procesit.

Kosova nuk është e gatshme as të bëhet pjesë e BE-së sot, edhe sikur të ishte e mundur kjo tani!!,…sepse s’ka çka na duhet….Kosovës i duhet lëvizja e lire sepse me këtë BE-ja shkele në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.

Na duhet anëtarësimi në Interpol sepse kjo i shërben edhe vet sigurisë së Europës e me gjerë, na duhet UNESKO sepse kjo lidhet direkt me jetën kulturore të qytetarëve të Kosovës, pra mekanizma të tillë që direkt përmirësojnë jetën e qytetareve, POR Kosova mund të pres të jetë pjesë e PE, KE, OKB, NATOS etj etj, sepse për të qenë pjesë e këtyre të fundit duhet të kesh standard.

E për të arritur këto standarde neve na duhet të merremi me vetveten e na duhet përkrahja e SHBA-së dhe BE-së. Këto mekanizma ndërkombëtare nuk besoj se kanë nevojë për shtete që ende nuk kanë të rregulluar një çështje fondamentale: sundimin e shtetit ligjor.

Prandaj gjërat duhet bërë me radhe, sepse ne, me apo pa fajin tonë nuk e kemi bërë këtë për 20 vjet! Dmth situata është faktike.

Shtetet Shqiptare duhet të jenë të qetë karshi mos të qenit pjesë e BE-së por duhet të shqetësohen për mosrespektimin e shtetit ligjor, mos luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar etj etj.

Prandaj perveçse fascilitimit të këtyre proceseve nga SHBA-ja dhe BE-ja, krahas ne kemi probleme të mëdha në shëndetësi e arsim të cilat duhet të kanalizohen sa me shpejtë drejt funksionimit brenda standardeve dhe vlerave tashmë të konfirmuara edukative.

Shtetet shqiptare duhet të jenë vlerë e shtuar edhe për mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare, edhe si partnere e barabartë në çdo lloj nisme rajonale, derisa në këtë rast Kosova nuk e ka këtë status, duhet lënë kohë që gjërat të rregullohen.

SHBA-të dhe BE-ja duhet të bëjnë trysni mbi Serbinë që të ketë qasje më konsrtruktive ndaj Kosovës dhe Ballkanit perëndimor, të cilin po e mban në moszhvillim ekonomik, e në nisma mendjelehta ekspansioniste të “keqmenduara” në Beograd, të cilat nuk do të shpien askund.

Diplomacia moderne nuk ka të fshehta, por transparencë diplomatike!!! Politika moderne duhet të fillojë të rindërtohet, ridizajnohet dhe të funksionojë mbi parimet e së DREJTËS! (si Gjermania).

Shtetet shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre legjitim janë ata që do të kenë përgjegjësi, çdo veprim antikombëtar në kuptimin e dëmtimit të interesave kombëtare e shtetërore është i pajustifikueshëm dhe duhet të sanksionohet me mekanizma shtetëror.

Shtetet Shqiptare, marrëdhëniet me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë duhet t`i ruajnë e t`i ngrisin në nivel me të lartë përmes së drejtës, urtësisë, mençurisë e diplomacisë moderne, vetëm mbi këto argument shqiptarët janë po thuajse të plotfuqishëm.

Nëse cështjet dhe kontestet ndërkombëtare tejkalojnë parimin e drejtësisë dhe përdorin atë të forcës….atëherë nuk është në dorën tonë.

Shtetet shqiptare shtrihen në Europe, nuk kemi as nuk kemi pasur kurrë një vend tjetër, të bëhemi shembulli me i mirë për vetveten e edhe për Europën ne: sundimin e ligjit, avancimin e arsimit e kulturës, shkencës, sportit etj.

Të forcojmë mbrojtjen nga agjenturat e huaja ekstremiste fetare e të spiunazhit që shkatërrojnë shoqëritë tona.

T`i kthehemi vetvetës të vetëformohemi, ta duam kombin e shtetin si të gjitha kombet e civilizuara nëpër botë. Ne nuk kemi vrarë e nuk kemi shkatërruar prona, ne thjesht jemi shqiptare në trojet tona, prandaj nuk mund të ikim nga vlerat me sublime të çdo kombi të civilizuar si: të kërkohet drejtësi dhe të vihet drejtësi nga bashkësia ndërkombetare, mos ta mbaj këtë rajon me pa të drejtë arenë hesapesh të fuqive të mëdha.

I gjithë Ballkani ka nevojë për qetësi e prosperitet e këto arrihen vetëm mbi parimin e DREJTËSISË!

Lakmia tregtare paralizon nervat e simpatisë mes kombeve dhe i shurdhon ato nga kërkesat e nderit, impulset e bujarisë nga thirrjet e atyre që vuajnë prej padrejtësisë. (citat: Albert Pike).