Dikur thoshte se Demarkacioni është kusht për vizat, sot ministri i Kurtit ‘ndryshon lojën’

Dikur thoshte se Demarkacioni është kusht për vizat, sot ministri i Kurtit ‘ndryshon lojën’

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë Kurti, Blerim Reka, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se nëse Kosova arrinë t’i bind 5 shtetet anëtare te BE-së, liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit do të ndodhë.

“Meqenëse ne, në një mënyrë, nuk kemi edhe shumë çështje të papërfunduara sepse 95 kriteret tashmë është konstantuar se janë përmbushur nga ana e Komionit Evropian, edhe Parlamenti i ka dhënë një përkrahje përkrahje politike liberalizimit. Mbetet të binden dy deri në tre shtetet anëtare, që janë hezituese dhe atë kryesisht në nivel të ministrive të Punëve të Brendshme, në kërkesat e tyre që të ofrojmë prova solide, bindëse, në katër fusha: në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha, prova për përfundimin e rasteve gjyqësore në krim të organizuar dhe korrupsion, të nivelit të lartë”, ka deklaruar Reka për rtv21.

Madje ai ka shtuar se ky proces mund të përfundojë gjatë këtij viti.

“Nëse arrijmë që t’i bindim këto shtete, unë shpresoj se ndoshta deri në fund të këtij viti, mund të pritet qarkullim pa viza i qytetarëve të Kosovës në shtetet anëtarë të BE-së”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Reka para marrjes së kësaj pozite kishte deklaruar se votimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është kushti që duhet plotësuar për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Demarkacioni, ndërkaq mbetet kushti politik- i cili nuk iu kërkua asnjë shteti tjetër. Bile do e quaja kushti gjeo-politik, i cili don që të rrumbullakësojë një gjeo-strategji rajonale kundër lojtarëve jo-euroatlantik. E kuptoj se nuk është lehtë falja e tokës, por po aq nuk do të jetë i lehtë edhe flijimi i ardhmërisë gjeopolitike të Kosovës. Fundja me demarkacionin e kufirit Kosova përmbyll sovranitetin e vet të jashtëm: me një shtet anëtar të NATO-s, (Malin e Zi), krahas demarkacionit të mëhershëm me një shtet të ri anëtar në vitin 2018 (Maqedoninë) dhe kufijve të sigurt të Kosovës me shtetin tjetër të NATO-s (Shqipërinë). Kështu Kosovës i mbetet e hapur vetëm vija kufitare me Serbinë”, kishte deklaruar Reka vite më parë.

Data të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave kishin dhënë edhe liderë të tjerë gjatë qeverisjeve të kaluara. Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, e madje, ish-ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku kishte festuar për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2015, përkundër se vizat nuk shiheshin në horizont./Insajderi.com/