Dështon gjykimi për krim të organizuar lidhur me vizat italiane ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Dështon gjykimi për krim të organizuar lidhur me vizat italiane ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të mërkurën ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe tre personave të tjerë, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, bëri të ditur se trupi gjykues nuk është në përbërje të njëjtë për shkak se gjykatësi Vesel Ismajli gjendet në Shkup për një rast familjar.

Më pas, me vonesë, në sallë është paraqitur prokurorja Florije Shamolli, e cila ishte e angazhuar në rastin “Stenta”, të cilën gjykatësja Krasniqi- Jashanica, e ka pyetur nëse do të prezantojë gjatë gjithë seancës.

Këtë pyetje, gjykatësja tha se po e bën, meqenëse prokurorja është e angazhuar te rasti “Stenta” dhe nëse mund të jetë prezente në këtë gjykim, atëherë do të bëj plotësimin e trupit gjykues, ku do të gjej një anëtar të trupit gjykues për zëvendësim.

Kurse, prokurorja Shamolli deklaroi se e ka njoftuar gjykatën se është në një seancë.

“Unë jam te “Stenta” e gjeta një zëvendësim, por thatë që nuk janë siguruar dëshmitarët”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Prezent në gjykatore nuk ishte as avokati mbrojtës i Izet Beqirit, Besnik Berisha, i cili kishte njoftuar gjykatën se është i zënë në një shqyrtim tjetër në kohë të njëjtë, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Prezent nuk ishin as dëshmitarët e ftuar për këtë seance, ku gjykatësja Krasniqi- Jashanica ka lexuar një listë emrash të dëshmitarëve, të cilët gjenden jashtë vendit.

“Emin Tafa sipas fletëkthesës është në Suedi, Bekim Murati në Gjermani, Emine Matolli, Mensur Halili, Qamil Rashiti gjenden në botën e jashtme. Astrit Cufa në Zvicër, Latif Omara në Gjermani, Sami Merovci në botën e jashtme”, deklaroi ajo, duke përmendur edhe emra tjerë të dëshmitarëve.

Ajo ka kërkuar mendimin e prokurores lidhur me këta dëshmitarë, e kjo e fundit ka propozuar që sërish të bëhet verifikimi nga policia.

“Pa u bo verifikimi nga policia, nëse kthehet nga policia verifikimi që gjenden jashtë, me pajtim të mbrojtjes mund të lexohen”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Seancat e ardhshme në këtë rast pritet të mbahen më 31 mars dhe 3 prill, nga ora 9:30.

Ukë Rugova dhe të tjerët, në seancat e kaluara, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ndërkaq, në seancën e kaluar, ishte veçuar procedura ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe tre të akuzuarve të tjerë, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani, të cilët do të gjykohen ndaras nga të akuzuarit e tjerë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.