Vjosa Osmani flet për marrëveshjen sekrete Thaçi-Rasmussen, mbështet kërkesën e kryeministrit Kurti

Vjosa Osmani flet për marrëveshjen sekrete Thaçi-Rasmussen, mbështet kërkesën e kryeministrit Kurti

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mbështetur kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’ua përcjell deputetëve marrëveshjen sekrete të arritur në vitin 2013 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe asokohe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Përmes një njoftimi për media, Osmani ka thënë se kërkesa e kryeministrit nuk duhet të keqinterpretohet si sulm ndaj NATO-s.

“Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avansim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, ka thënë kryetarja Osmani.

Kryekuvendarja ka deklaruar se ia ka përcjell deputetëve dokumentet e kryeministrit Kurti.

“Meqë në letrën e tij, Kryeministri i vendit e nënvizon rëndësinë e informimit të të gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur me këto dokumente dhe asnjëra nga to nuk janë cilësuar si të klasifikuara sipas ligjeve në fuqi, ju kam përcjellë deputetëve të plotë letrën e Kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet Kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash”, ka deklaruar Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se është në dorën e deputetëve të Kuvendit lidhur me hapat e mëtutjeshëm që ata do t’i ndërmarrin në lidhje me marrëveshjen, siç e quan ai, sekrete të nënshkruar mes atëherë kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s.

“120 deputetë të Kuvendit të Republikës e kanë opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit, letrën time dërguar kryeparlamentares Vjosa Osmani, si dhe shkëmbimin e letrave mes ish-kryeminisitrit Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s”, ka thënë sot Kurti. /Insajderi.com