Fatmir Limaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi e njohin njëri-tjetrin pasi janë të njëjtë.
Limaj ka thënë se Kurti duhet të kërkojë falje pasi ka ardhur në pushtet me kauza të rrejshme, e duhet t’i kërkojë falje edhe opozitës së tanishme pasi “i ka sharë të djathtë e në të majtë”.
“Në Kuvend iu vardis Veselit, derisa më herët kurrë nuk e ka quajtur në emër, por vetëm kriminel. Kurti duhet të japë dëshmi të vullnetit të mirë, me angazhime serioze. E nuk mundet paradite të denoncojë e pasdite të kërkojë bashkëpunim (me presidentin Thaçi). Unë nuk po i kuptoj këta dy njerëz. Paradite kërkojnë bashkëpunim e pasdite shahen. Ata duhet me u taku në çdo kohë e në çdo orë. Këta dy e njohin njëri-tjetrit sepse i ngjajnë njëri-tjetrit”, ka thënë Limaj.
Ai nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me kryeministrin Kurti për temat e mëdha, mëgjithatë ai ka theksuar se ende s’ka pasur asgjë konkrete nga ana e kryeministrit.
“Çdo gjë e mirë që është për vendin ne do ta mbështesim. Ende nuk kemi dëgjuar asgjë konkrete nga kryeministri”, është shprehur ai. /Insajderi.com