“Kurti është si Koronavirusi për Kosovën” – reagimi i Haradinaj për heqjen e taksës

“Kurti është si Koronavirusi për Kosovën” – reagimi i Haradinaj për heqjen e taksës

Deputeti në Kuvendin e Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar për vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për heqjen e taskës 100 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

I ftuar në RTV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se vendimi i ditë i kryeministrit Kurti është i njëanshëm, derisa ka shtuar se Kurti është si një Koronavirus për Kosovën.

“Sot mori një vendim të njëanshëm që si duket nuk e ka konsultuar as partnerin që e kanë në qeveri. Po tingëllon që vet zoti Kurti është si një “Coronavirus” në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka shtuar se kanë pasur informata për këtë vendim të Kurtit andaj edhe janë përgatitur të thirrin një seancë të jashtëzakonshme.

“Kemi pasur informacione se do të ndodh diçka e tillë, prandaj jemi përgatitur për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme. Nesër do të kemi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe besoj se të hënën në ora 11 do të ketë seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri, Albin Kurti sot përmes një konference të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se më 15 mars do të marr vendim që të hiqet taksa prej 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Pas takimeve me odat dhe shoqatat tona dhe pas analizës me kolegët tanë. Kam ardhur tek ky qëndrim për tarifën 100 për qind si qeveri e Kosovës nga 15 marsi të hiqet tarifa”, ka thënë sot Kurti. /Insajderi.com