Si mori prona dhe para Henri Çili për të liruar vrasësin e dënuar përjetë

Si mori prona dhe para Henri Çili për të liruar vrasësin e dënuar përjetë

Henri Çili dhe 12 persona të tjerë u arrestuan nga policia në orët e para të mëngjesit të sotëm, nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Raportohet se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit.

Mësohet se Çili ka pasur komunikime me babanë e Alban dhe Arbjon Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.

Po ashtu ka dyshime se Çili i mori shuma të konsiderueshme parash, apartament, dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte të nxirrte nga burgu dy djemtë e tij. Çili dyshohet se i ka premtuar se do të ndikonte në vendimin e gjykatës.

Ndaj botuesit Henri Çili, Prokuroria ka ngritur akuzat e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit, si edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë.

Arbion Aliko, pjesë e grupit të zjarrit, është dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.

Ibrahim Basha mbeti i vrarë në Lazarat, gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur të shtënat ndaj policisë lokale, operacion antikanabis në 2014-ën. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.