Një debat mes kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi, dhe sekretarit organizativ në Lëvizjen Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka rikthyer në debat publik edhe njëherë vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
Debati në “Rubikon” është nxehur kur Kajtazi ia ka përmendur Molliqajt faktet se shteti nuk ka pasur arsyeje ta vrasë Deharin siç pretendon VV-ja dhe Molliqaj në emision.
“Në rastin konkret e para e punës nuk e shoh që shteti ka pas motiv për me vra Astrit Deharin. Nuk ka qenë figura qendrore siç është Dardan Molliqaj. Shteti, ky çfarë është, ka pas interesim me nxjerr para drejtësisë ashtu si Frashër Krasniqin dhe të tjerët”, ka thënë Kajtazi.
E kjo është kundërshtuar nga Molliqaj i cili është kapur edhe tek analiza e Kajtazit e botuar në Insajderi, “Vrasja e shumëfisht e Astrit Deharit”.
Ka thënë se Kajtazi ka paraqitur raste që kanë ndodhur në botë.
“Janë pretendime tuat që i bazon se ka vetëvrasje edhe më të rënda në botë”, ka thënë Molliqaj, teksa ka përmendur edhe ditarin e të ndjerit, i cili sipas tij tregon se Dehari nuk ka pasur gjendje të rëndë psikike për të kryer vetëvrasje.
“Astrit Dehari ka pasur puls dhe frymëmarrje të rregullt. Ndërsa nga të gjithë ekspertët ka qenë se Dehari ka vdekur nga asfiksia. Qysh është e mundshme që dikush që ka vdekur nga asfiksia të ketë puls dhe frymëmarrje të rregullt”, ka thënë ai.
Debati mes Kajtazit dhe Molliqajt është zgjeruar edhe në krejt sistemin e drejtësisë në vend.
Kajtazi tha se Lëvizja Vetëvendosje kryesisht ka qasje sulmuese ndaj gjyqësorit, kanë bërë që nga koha e UNMIK-ut e për të vazhduar me EULEX-in.
Madje sipas Kajtazit sulmet e Vetëvendosjes kanë bërë që shumë gjyqtarë e policë të hezitojnë të merren me rastet e tyre
“Në përgjithësi kanë qasje të sulmit kundër sistemit të gjyqësisë, që e kanë treguar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk e kanë njohur atë të UNMIK-ut, EULEX-it dhe në ndërkohë me po të njëjtën gjuhë e kanë vazhduar edhe me sistemin gjyqësor të vendit”, ka thënë Kajtazi.
E Molliqaj është ndalur tek deklaratat e kreut të njësitit antiterrorizëm në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli karshi aktivistëve të LVV-së, që sipas Molliqajt, kanë pasur fund e krye qëllime politike.
Tutje Molliqaj foli edhe për deklaratën e gjyqtarit Vehbi Kashtanjeva lidhur me lejen për vizitë te tashmë aktivisti i ndjerë, Astrit Dehari.
“Pse ka thënë deklaratë të pavërtetë kur i ka pas provat. Qysh me i besu unë Vehbi Kashtanjevës? Vehbi Kashtanjeva ka deklaruar publikisht që nuk më ka dhënë leje dhe pastaj pasi që publikohet leja nga një portal ai thotë se ka pas shumë leje”, ka thënë Molliqaj.
“Një prokuror i cili çon njerëz në burg për qëllime politike atëherë unë kam problem me u sill normal”, shtoi ai.
Për Kajtazin, kërkesa sikurse ajo për largimin e krejt Prokurorisë Speciale, të cilën e ka bërë VV-ja, është një kërkesë e pabazuar dhe e pa logjikshme.
“Kërkesa për përjashtimin e prokurorit, nuk e di sa kanë prova për ta kërkuar atë. Por për ta kërkuar largimin e Prokurorisë Speciale shihet se mbrojtja nuk ka fare njohuri për ligjin në Kosovës. Vepra penale e terrorizmit është kompetencë e rezervuar për Prokurorinë Speciale”, ka thënë Kajtazi./Insajderi.com