Aty në breg të detit gjithçka ishte e improvizuar shpejt e shpejt dhe pa shumë salltanete. Kishte djem që tashmë i kishin formuar skuadrat e tyre. Prej kohësh ishin ndarë në dy grupe dhe vazhdonin të zhvillonin prej vitesh të njëjtën ndeshje të pafund. Kishte të tjerë që i formonin ekipet aty për aty, buzë rërës, i propozonin njëri tjetrit dhe ngriheshin, shkundnin rërën, të tjerë linin lojën e damës apo të shahut që kishin nisur nën çadrën e tyre të diellit dhe zinin e negocionin rrufeshëm organizimin e lojës. Kur ndodhte që të ishin në numër tek i propozonin të parit burrë a djalë që gjenin aty rrotull për t’u bashkuar me ta. Fusha ishte gati. Mjaftonte që në një distancë prej pesëmbëdhjetë a njëzet metrash prej njëra-tjetrës të montoheshin portat me «shtylla» prej shapkash plastmasi të ngulura me kokë në rërën e lagësht apo prej grumbuj të vegjël rëre me nga ndonjë shkop të ngulur mbi to.
Nuk kalonte veçse pak kohë dhe lojtarët ishin të mbuluar nga djersa që vinte ca nga të vrapuarit në fushë, ca nga vapa e diellit. Harronin se ku ishin. Ndeshje pa arbitër. Ndonjëherë debatet nëse topi kishte hyrë në portë apo kishte kaluar disa centimetra jashtë shtyllës e ndërprisnin për disa çaste lojën. Pastaj, ajo zinte e rifillonte përsëri dhe ndonjëherë nuk mbahej më mend se sa ishte rezultati.
Ndërkohë, befas, shfaqej polici, përfaqësuesi i shtetit të kohës. Dallohej si karafil i veshur me uniformë blu të dalëboje, dikur me ngjyra të qarta, një zyrtar qesharak i shtetit, si grua histerike me moral puritan dhe antiseksual, një lloj karabushi me uniformë që shëtiste humburazi, i hutuar, midis asaj morie gjoksesh, shalësh, kofshësh, qafash, barqesh lakuriq. Kërkonte të vinte rregull duke ndaluar lojën e futbollit sepse, siç i kishin thënë shefat, prej saj shqetësoheshin plazhistët. E kishte marrë shumë seriozisht detyrën e tij. Kjo e bënte tej mase qesharak. Nuk e kuptonte se shqetësohej kot dhe gabimisht. Kërkonte të evitonte gjoja një shqetësim të qytetarëve që i kishte marrë nën mbrojtje, i cili, në fakt, në pamjen e vërtetë dhe të padukshme të tij, nuk ishte veçse një përkëdheli kolektive, një eros i përbashkët poligamik, një solidaritet lakuriq aty ku ujërat e kripura të detit takohen me tokën e shkrifët në formë rëre të lagur dhe që nuk dihej nëse është më shumë det apo më shumë tokë. Në fakt, ankimi ndaj tjetrit që luante futboll në plazh ishte njëlloj si ato ngacmimet e adoleshentëve që godasin lehtazi me bërryl shoqet e klasës thjesht për t´iu tërhequr vëmendjen. «Ej, ja ku jam, nuk e sheh se po ankohem për ty? Kam nevojë të shfaqesh, sidoqofsh, ankesa ndaj teje, e di, nuk është veçse një alibi për të të gjetur në këtë botë të ftohtë të heshtjes.»
Njeriu me uniforme kërkonte rregull absurd, pikërisht atëherë kur shqetësimi alibik që ai donte të evitonte sillte tamam atë pështjellim e kaos plot gëzim, epsh, aromë, puls, shkumë, djersë, erë deodorantësh, uji të kripur, mbetjesh spermatozoike që e bënin të papërsëritshëm, të paharrueshëm, tërheqës plazhin veror.
Shteti kërkonte rregull kundër qejfit.
Rend kundër pasionit.
Qetësi kundër gjallërisë.
Moral kundër lojës.
Ligj kundër solidaritetit njerëzor.
Ndëshkim kundër mirëkuptimit.