Rrëfimtaria e shkurtër e Adil Ollurit

 Shkruan: Shpresa QERIQI

Rrëfimtaria e shkurtër e Adil Ollurit

Përtej çdo kufiri real, kohor dhe gjeografik me një vullnet hyjnor e profetik, ky kthim çjerr lëkurën e fortë madje të ashpër të verbërisë ndaj një realiteti thellësisht aktual, për të dëshmuar edhe një herë përkushtimin e pakusht të autorit në bashkëjetesën e tij me letërsinë.

“Kthimi i Profetit”  është titulli i vëllimit më të ri me tregime i shkrimtarit Adil Olluri, i cili me një tension të vazhdueshëm midis komikes dhe tragjikes tërheqë vëmendjen e lexuesit dhe e drejton atë drejt fajeve historike të shoqërisë, egoizmit, pushtetit, pafuqisë dhe injorancës, herë me ironi, e herë me reflektime të ndjeshme shpirtërore ndaj një realiteti të përbashkët.

“Siç më tregonte kryeimami, ngadalshëm dhe me plotë drojë, ky fakir u thoshte besimtarëve se është vetë profeti dhe kishte ardhur për t’i ndrequr disa gabime që i kishin bërë kalifët e ndryshëm pas vdekjes së tij.”

“Kthimi i Profetit” është rrëfimi për njeriun e prekur nga egjinët, i cili insiston në misionin dhe identitetin prej profeti. Nga personazh i drejtë, entuziast dhe tejet i vetëkënaqur, protagonist dhe bartës i një faji historik, përfundon viktimë e përzënë dhe në dëshpërim, nga një lojë forcash shumë më të fuqishme se ai, që kanë shpërfytyruar vullnetin “hyjnor” të tij tash e shekuj më parë.

Në përpjeke të shplimit të identitetit të vërtetë njerëzor, të egoizmit, epshit, mashtrimit dhe gënjeshtrës,  autori krijon një aluzion në rrafshin letrar me literaturën religjioze islame për të  tërhequr maskën e besimtarit durimtar dhe të ndershëm. Në tregimin “Barku i Balenës”, protagonisti i quajtur Januz, vihet në sprovë përballë vetvetes, të  ndaluarës, tradhtisë, imoralitetit dhe ligjeve morale të rrethit i vetëm, si krijesë e dobët dhe tinëzare.

Në të njëjtën drejtëz shtrihen tregimet alegorike “Revolta e minjve” dhe “Kthimi i sërishëm i drerit në kopshtin zoologjik” përmes të cilëve tentohet depërtimi dhe provokimi i ndërgjegjes shoqërore dhe paralelisht thumbon prirjen për t’iu përshtatur qëllimeve, synimeve e interesave të më të fortëve apo të shumicës.

“Minjtë ishin më të shumtë në numër, por njerëzit kishin me dhjetëra mënyra për t’i shfarosur ata. Njerëzit kishin helme, armë, gracka dhe macet shtëpiake si ndihmëse.”

“Më mundoi më shumë liria. Nuk e përballova dot.”

Me lojën midis artistikes dhe fantastikës, pikërisht nën krijimin e dialogut dhe revoltës së personazheve kafshë, synohet edhe pika kulmore e ekzistencës në trajtën e ndërgjegjësimit intelektual kundër së keqes.

”Tërë ditën rrija duke e pritur vdekjen e dikujt. Ajo më ushqente. Jetoja në kurriz të saj.”

Ironia zotëruese dhe intriguese e fjalive të para të tregimit “Tender për transport kufomash”, pasqyron veçantinë paraqitëse të vdekjes në prozën e Ollurit, e cila  fillimisht na vizatohet në një tablo të përbashkët me vdekjen shpirtërore të individit të pafuqishëm përbrenda kornizave  shoqërore, dhe në pamundësinë e kundërshtimit, stacionohet në rolin e vëzhguesit emocional. Centimetrat e segmentit shoqëror në raport me vdekjen, në vështrimin elementar shfaqen në përmasa milimetrike, por duke e kaluar atë nëpër nivele të ndryshme përmasat e saj sa vijnë e rriten. Ekzekutimi si krim i ftoftë dhe vdekja e ndershme në përballje, janë skajet e këtij diametri që përshkojnë thelbin e vet ekzistencës njerëzore.

“Transistori” hap një faqe tjetër në librin e kujtimeve të luftës, pa tmerrin e vrasjeve dhe pasojave të saj, përmes një teknike të veçantë të rrëfimit retrospektiv, protagonisti i rijeton imazhet e ngrysura të rinisë me mbështetjen e vetme, një transistor.

Kjo përmbledhje me tregime të ndryshme si tërësi reflekton ankthin e krijuar nga sistemet e  ndërtuara në saje të interesave personale egoiste, por njëherësh aludon në një verbëri të përgjithshme kundrejt së vërtetës. Autori denoncon krimin, epshin, pushtetin, korrupsionin, rrahjet dhe keqtrajtimet që kanë ndodhur dhe ndodhin përpara syve tanë por që të lidhura bashkë  me zinxhirët e ashpër të injorancës, frikës dhe pafuqisë nuk ndëshkohen.