Koronavirusi: Kërkohet pezullimi i dënimit për 23 persona me sëmundje kronike në burgjet e Kosovës

Xheneta Uka

Koronavirusi: Kërkohet pezullimi i dënimit për 23 persona me sëmundje kronike në burgjet e Kosovës

Pas vendimit për parandalimin e vizitave të familjarëve tek të burgosurit në Kosovë, Drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaci ka paralajmëruar se do të kërkoj nga Ministria e Drejtësisë t`ua pezullon vendimin e dënimit 23 personave. Sipas Thacit, këta persona duhet të dërgohen në spital apo në kujdes shtëpiak për shkak të moshës së shtyrë dhe sëmundjeve kronike. Ndërkohë që në të gjitha burgjet është bërë dezinfektimi dhe janë marrë të gjitha masa parandaluese ndaj koronavirusit.

Të enjten Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim që të anulohen të gjitha vizitat familjare tek 1 mijë e 756 të burgosurit në Kosovë, me qëllim të parandalimit të koronavirusit në vend, shkruan Insajderi.

Por përveç këtij vendimi, Shërbimi Korrektues i Kosovës, e ka parë të nevojshme të kërkoj edhe një masë tjetër. Drejtori i SHKK-së, Nehat Thaci ka thënë për Insajderin se do të kërkojnë t`ua pezullon vendimin e dënimit 23 personave.

“ Ne kemi përgatitur një listë me kërkesë të Ministres së Drejtësisë ku 23 të burgosur të cilët janë të shtyrë në moshë dhe kanë sëmundje kronike do të kërkojmë përmes MD-së, në gjykata kompetente për pezullimin e këtyre dënimeve në mënyrë që të burgosurit të lirohet për një kohe të caktuar”, ka thënë Thaçi

Prej 23 personave që sipas shërbimit korrektues, kanë probleme shëndetësore 18 gjenden në burgun e Dubravës, një në burgun e Sigurisë së Lartë dhe të tjerët në burgjet tjera.

Drejtori i burgut të Dubravës, Hivzi Syla tha për Insajderin se i posedojnë të gjitha dokumentacionet për 18 personat që kanë nevojë të vazhdueshme për tretman mjekësor.

“Kemi të burgosur që janë të sëmurë, në burgun e Dubravës i kemi diku 17-18 të cilët janë të shtyrë në moshë dhe janë me diagnoza pak më të rënda shëndetësor dhe që kërkojnë shpesh të dalin për tretman në QKUK dhe në spitalin rajonal të Pejës, e kemi një listë të tyre dhe i kemi dosjet e tyre mjekësorë, dhe dosjet ligjore dhe jemi të gatshëm të kërkojmë pezullimin e vendimit”, th Syla për Insajderin.

Pas ndalimit të vizitave të familjarëve në burgje, Nehat Thaçi ka treguar se si do t`ua lehtësojnë komunikimin të burgosurve me familjarët.

“Me kërkesë të ministres Haxhiu do të instalojmë komunikimin virtual, do të instalojmë skypen në të gjitha burgjet  në mënyrë që familjarët përveç telefonatat që i kanë të shpeshta, do të kenë edhe komunikim virtual të burgosurit me familjarët e tyre”, tha Thaçi për Insajderi.

Në burgun e Dubravës, Drejtori Syla tha se i kanë 120 të burgosur që kanë pasur të drejtën të lirohen për vikende. Por se me vendimin për ndalimin e vizitave edhe atyre u anulohen ditët e vikendit.

“Kam pasur për detyrë t`i njoftoj të dënuari se ndërpriten përkohësisht vizitat deri më datën 27 mars, po ashtu ndërpriten edhe vikendet në shpi për të gjitha të burgosurit, e të cilat janë 120, do të rrite numri i telefonatave pa limit prej mëngjesit deri në dark”, tha Syla.

Burgjet e Kosovës janë dezinfektuar javën e kaluar dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të dezinfektohen prapë. Po ashtu janë marrë të gjitha masa parandaluese ndaj koronavirusit. Si dhe janë pajisur gjithë stafi dhe të burgosurit me maska, dorëza sterile dhe me pastrues të duarve.

Drejtori i burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Bulshkaj, tha se janë shpërndarë informata e para për parandalimi dhe simptomat e para rreth koronavirusit.

“Shpërndarjen e informatës për parandalimi dhe simptomat e para, kemi shpërndarë dezinfektues, jemi pajisur me termometrin, kemi marr masat për pastrimin më të shpesht të gjitha hapësirave të të burgosurve, kemi bërë DDD, shpërndarjen më të madhe të materialit higjenik”, tha Buleshkaj.

Po ashtu, në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gerdovc, është ndarë edhe një hapësirë e veçantë si karantinë.

“Ne jemi të përgatitur dhe e kemi të identifikuar edhe vendin nëse ka nevojë ndonjë person të futet në karantinë, po ashtu e kemi edhe planin e koordinuar me shëndetësinë këtu në Burgun e Sigurisë së Larte, i kemi edhe dhomat e caktuara për karantinë në kuadër të stacionarit”, tha Buleshkaj.

Po ashtu, në burgje është shtuar edhe rezerva e ushqimi, në rast se ndodh të bllokohet gjithçka.

“Kryesisht do të jeni ushqime të ziera ne kemi marrë edhe vendim që ushqimi rezervë që deri më sot ka qenë ushqim 2 javorë, prej tani do të jetë katër javorë, gjatë ditëve të kaluara është bërë rishikimi i të gjitha ushqimeve , kualiteti të tyre, afatet e qëndrueshmërisë kohore, si dhe do të rritet rezerva ushqimore për një muaj”, tha Thaçi.

Thaçi gjithashtu ka treguar se tek të burgosurit nuk ka panik vetëm se duhet një kujdes i shtuar. /Insajderi.com