Ulaj i VV-së “kapet” me kryesindikalistin e Shëndetësisë: Ishte e turpshme çka iu servua qytetarëve në RTK

Ulaj i VV-së “kapet” me kryesindikalistin e Shëndetësisë: Ishte e turpshme çka iu servua qytetarëve në RTK

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Ulaj, ka kirikuar një debat të transmetuar në televizionin publik të Kosovës, ku u diskutua lidhur me koronavirusin (COVID-19).

RTK transmetoi një debat ku u diskutua për menaxhimin e situatës me koronavirus, me të ftuar kryesindikalistin e Shëndetësisë, Blerim Sylën.

Deklarimet e Sylës gjatë këtij debati kanë ngjallur reagimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Ulaj, i cili ka akuzuar kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë se po tenton të manipulojë dhe demotivojë personelin shëndetësor.

“Në RTK sonte ishte ftuar Blerim Syla, kryetar i FSSHK me dy vartës të tij. Jo rastësisht në RTK dhe në këtë përbërje. Ishte e turpshme ajo që iu servua qytetarëve të Kosovës pikërisht tani kur nevojitet mobilizim i të gjithëve që të tejkalojmë këtë situatë emergjente. Është joetike nga mjeku që të shkaktoj panikë në popull kur atyre u nevojitemi më së shumti”, ka thënë Ulaj.

“Është pikërisht Blerimi që në kohën e fushatës zgjedhore, në emër të sindikatës së punëtorëve shëndetësor pati nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me qeverinë e PAN-it. Nuk iu ndëgjua zëri asnjëherë pas zgjedhjeve. Ata që i ka përkrahur Blerimi në vazhdimësi janë fajtorë për mangësitë aktuale në infrastrukturë, aparaturë, resurse njerëzore dhe furnizim”, ka deklaruar Ulaj përmes një shkrimi në Facebook. 

Ulaj i ka thënë Sylës se “Nuk është kohë fushate e defetizmi, por bashkëpunimi e mobilizimi me gjithë kapacitet që kemi në shërbim të atyre që kanë nevojë për ne”.

“Blerim, sonte u shpërfaqe se kujt i shërben dhe pse je aty – punëtorët shëndetësor nuk mund të manipulohen dhe demotivohen. Ashtu siç kemi qenë gjithmonë, do të jemi në krye të detyrës për çka edhe jemi betuar”, ka deklaruar ai.