Presidenti Hashim Thaçi ka propozuar që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Dekreti i propozuar nga Presidenti do të shkojë tek deputetët e Kuvendit, pasi vetëm me 2/3 e votave të tyre mund të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin maksimal të FSK-së në gjithë Kosovën. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë së përhapjes së koronavirusit”, tha presidenti.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën për të votuar ose jo dekretin e presidentit.
Situata me koronavirusin
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin e ri.
Shumë shtete në botë kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus.
Kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij. Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.
Në muajt vijues, pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 195,935 raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,840 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,866 persona.
Lexo edhe:
Çfarë nënkupton gjendja e jashtëzakonshme nëse shpallet nga presidenti