Nuk pamë pothuajse asgjë thelbësisht progresive, në këndvështrimin e ekonomisë politike, kur u publikua programi i Qeverisë së re. Bazuar në gjuhën përgjithësuese të programit, pra pasi detajet mungonin, programi nuk sugjeronte zhvendosje paradigmatike të politikave, por kryesisht vazhdmësi, anipse Vetëvendosje ishte rritur vitet e fundit duke promovuar diskurs lëvizjeje majtas. Tani Kryeministri ka provokuar me lehtësi edhe mocion kundër Qeverisë, çfarë mjerisht do të dëmtojë pikësëpari mijëra njerëz që kanë punuar dhe ndihmuar në ndryshimin e pushtetit me shpresën se shteti do të fillonte të punojë më shumë për barazinë shoqërore.
Megjithatë, do të vazhdojmë ta shohim këtë Qeveri – së paku duke u marrë me Covid 19. Dhe pasi është kështu, do të ishte mirë që, përveç ministrit të shëndetësisë, publiku të fillojë të familjarizohet duke parë më shpesh edhe ministrat e financave dhe ekonomisë. Këta ministra duhet t’i shohim në TV (pse jo nga-ora-në-orë) duke ofruar oksigjenoterapi për ekonominë e Kosovës.
Ekziston një test i thjeshtë i modernitetit të shoqërive. Në shoqëritë moderne, shteti nuk lejon që barra e një krize kaq të madhe kolektive të bartet dhe të zgjidhet nga vetë familjet ose individët. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar (siç raportuan mediat) pagesa para kohe për punëtorët e sektorit publik – por askush nuk flet për sektorin privat përveç në aspektin e kërcënimit, dënimit, kufizimit etj etj. Pra të gjitha indikacionet janë që – edhe kjo Qeveri e ardhur në pushtet me gjuhë e premtime progresive – do ta lë shoqërinë ta zgjidhë këtë krizë privatisht.
Thonë që për kohën kur ka shkruar, feudalizmin, shënimet e Adam Smithit kanë qenë revolucionare, transformuese. Në kohën tonë, dihet, sektori ynë publik është klasë e mesme dhe naltë, shpesh sunduese e Kosovës: pak punë për shoqërinë, paga e mëditje e kredi të majme, me mbështetje të patronëve të gjithmonshëm politikë. Përse duhet që edhe në këtë krizë të përbashkët një punëtor i një ministrie ose komune që nuk punon ose që bën 1-2 orë efektive në ditë, të paguhet, madje para kohës, ndërsa gjithë të tjerët ta presin rrezikun dhe falimentimin vetë?
Janë rreth 270,000 punëtorë privatë të regjistruar dhe ndoshta edhe 100,000 tjerë të paregjistruar në Kosovë (disa syresh i shohim edhe sot duke punuar ngase nuk mund të presin). Qeveria ose duhet të mbulojë rrogën e sektorit privat (në shumicën e rasteve) siç po bëjnë vende të kontinentit, ose duhet të krijojë me emërgjencë Pagën e Jetesës (Living Wage) për të gjitha familjet njësoj (bazuar në numrin e anëtarëve), të anulojë afatet e kredive, dhe të ndalë të gjitha pagat tjera – përveç mjekëve, policëve dhe ushtarëve të përfshirë në luftën antivurs – deri kur të kryhet kriza. Po, pikërisht, duket u futur në borxh.
Nëse nuk bën asgjë për shumicën e shoqërisë as tash, ndoshta me shansin e fundit, kjo Qeveri e ardhur me premtime të transformimeve progresive, do të mbahet mend për atë që shumë nga paralajmëruesit e saj, përfshirë me dashakeqësi, e kanë predikuar – për populizëm të pastër.
Së paku, për mesazh simbolik solidariteti, Kryeministri në Shqipëri u përgjysmoi pagat ministrave të tij. Në ditën e njëjtë, në Kosovë, duke shikuar në horizontin përtej krizës, u shtuan edhe një numër (një milonë e një) këshilltarësh në listën e pagave publike.