COVID 19 – Komuna e Lipjanit planifikon 50 mijë euro për ndihma familjeve me nevojë

COVID 19 – Komuna e Lipjanit planifikon 50 mijë euro për ndihma familjeve me nevojë

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Lipjan, Daut Azemi ka thirrur mbledhje urgjente të Kuvendit për shkak të situatës së krijuar në vend, nga virusi COVID-19.

Komuna e Lipjanit ka planifikuar të ndaj 50 mijë euro,  për ti mbështetur financiarisht familjet në nevojë, me qëllim të menaxhimit të situatës të shkaktuar nga COVID-19.

Siç mëson LipjaniNews për aprovimin e kësaj pikë të seancës do të procedohet në mënyrë elektronike dhe votimi dhe diskutimet do të bëhen në formë elektronike.

“Shuma e mjeteve që do të ndahet në bazë të propozim vendimit do të jetë në vlerë prej 50,000.00€ (pesëdhjetë mijë euro) për ti mbështetur financiarisht familjet në nevojë në Komunën e Lipjanit si dhe për nevoja tjera me qëllim të menaxhimit të situatës emergjente nga pandemia COVID-19 që ka prekur edhe Komunën e Lipjanit”, thuhet në propozim vendim.

Po ashtu, Organizata e Shoqërisë Civile YAHR si monitoruese e institucioneve lokale e ka përshëndetur dhe e përkrahur iniciativën e Ekzekutivit të Komunës së Lipjanit për propozim vendim drejtuar Kuvendit Komunal për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej 50 mijë euro, për ndihma të familjeve në nevojë dhe nevojat të tjera të menaxhimit të situatës emergjente nga pandemia covid — 19.

YAHR-i kërkon nga kuvendarët e Kuvendit Komunal që të përkrahin këtë propozim vendim.

Kujtojmë tashmë në Lipjan është shënuar rasti i parë me të infektuar, që është nga fshati Janjevë, ku janë ndërmarr disa masa të menjëhershme, po ashtu ky fshat tanimë është edhe në karantin.