Kryeministri lë pas kërcënimet, tani “preokupohet” për sigurinë e gazetarëve

Kryeministri lë pas kërcënimet, tani “preokupohet” për sigurinë e gazetarëve

Që në çastet e para si kryeministër, Mustafa shfaqi mosdurim për të tjerët që mendojnë ndryshe nga ai, dhe në fakt nuk i ka pritur mirë kritikat gjatë tërë mandatit, duke u lëshuar jo rrallë në komunikim jo të denjë për pozitën që mban.

Kryeministri Isa Mustafa dhe një numër gazetarësh janë mbledhur në Prishtinë për të diskutuar për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve. Pjesëmarrja e Mustafës në tryezën e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së paku formalisht dërgon mesazhin se Mustafa dhe qeveria që ai drejton janë të interesuara për bashkëpunim me mediat, ani pse në praktikë gjërat nuk kanë qenë aq të thjeshta.

Marrëdhënia e kryeministrit me mediat por edhe me organizata të shoqërisë civile nuk ka qenë ndër më të mirat, me Mustafën që në një numër rastesh është lëshuar edhe në fyerje personale ndaj atyre që e kritikuan.

Në fakt, që në minutat e parë të zgjedhjes së tij si i pari i qeverisë, Mustafa kishte treguar mosdurim ndaj mendimit ndryshe. Në fjalimin pasi mori mandatin, ai nuk kishte nguruar që të kritikojë më tone të ashpra deputetët e tij, të cilët nuk e kishin menduar atë si të denjë për këtë pozitë.

“I falënderoj edhe ata që e dhanë votën kundër, edhe ata që abstenuan. E gjithë kjo vlen për gjithë ju, por jo për deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaronte ai, teksa shikonte përbuzshëm deputetët e partisë së tij.

Më 20 mars të vitit 2016, kryeministrit Mustafa nuk i kishte pëlqyer artikulli i publikuar nga Insajderi, i titulluar “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”. Artikulli shpërfaqte gjendjen e vështirë të shëndetësisë në vend, duke nënvizuar se ka qenë vetë vëllai i kryeministrit që kishte kërkuar azil për të gjetur shërim në vende të Evropës Perëndimore.

Për këtë arsye, Mustafa kishte telefonuar autorin e këtij shkrimi, gazetarin Vehbi Kajtazi, të cilin e kishte quajtur “qen bir qeni” dhe e kishte paralajmëruar se për shkrimin e bërë “do ta paguante shtrenjtë”. Autori i artikullit e kishte denoncuar kërcënimin e Mustafës në Policinë e Kosovës.

Në ndërkohë, të dhënat Policisë e Kosovës – që u përfshinë në raportin e AGK-së të publikuar të premten në prani të kryeministrit – tregojnë se nga viti 2013, gjithsej 62 raste janë raportuar për sulme ndaj gazetarëve, prej të cilave 12 sulme fizike. Përveç kërcënimeve e sulmeve, mediat në Kosovë po ashtu në vazhdimësi janë ankuar për qasje të limituar në dokumente zyrtare dhe mungesë transparence nga ana e institucioneve qendrore e lokale.

Kritika nga organizatat ndërkombëtare

Në nëntor të vitit të kaluar, Mustafa përdori në mënyrë cinike një shprehje, me të cilën fillimisht kishte bërë bujë homologu i tij shqiptar, Edi Rama. Në një përballje me analistë e gazetarë nga Kosova, Rama në disa raste thërriste “o portal” në mënyrë përqeshëse ndaj gazetarëve të pranishëm në debat. Emisioni kishte nxitur reagim në Kosovë, dhe shumë njerëz e cilësuan si qasje arrogante të Ramës ndaj medieve. Por, kjo nuk e ndaloi Mustafën që vetëm pas pak ditësh të përdor të njëjtin term kur reagoi ndaj një shkrimi të një portali.

Por, sjellja e Mustafës karshi medieve, sidomos në rastin kur kërcënoi Kajtazin nuk ka mbetur pa u kritikuar jo vetëm në Kosovë, por edhe nga organizata ndërkombëtare.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch, që analizon çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut në mbi 90 vende të botës, ka shprehur shqetësim lidhur me lirinë e mediave në Kosovë. Në raportin për vitin 2016, thuhet se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, dhe se hetimi i këtyre rasteve ka qenë i ngadaltë.

Në këtë raport përmendet edhe kërcënimi që kryeministri Mustafa ka bërë në drejtim të Kajtazit. Ndaj këtij rasti kishte reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe organizata të tjera.

Viteve të fundit, Kosova ka parë fare pak përparim edhe në Raportet e Progresit të Komisionit Evropian sa i përket lirisë së medieve, ndërsa si shqetësuese janë përmendur edhe sulmet e kërcënimet ndaj gazetarëve.

Mustafa, mediat sociale dhe shoqëria civile

Se kryeministri ka vështirësi të përmbahet ndaj kritikave apo akuzave, është provuar nga deklaratat e tij kundërthënëse në media sociale.

Mustafa ka më pak ndjekës në llogarinë e tij në Facebook krahasuar me liderët e tjerë të vendit, por disa herë ka bërë bujë më shumë se kolegët e tij për shkak të gjuhës së përdorur. Në fakt, për një kohë ai edhe e kishte çaktivizuar llogarinë, me arsyetimin se ka qenë cak i sulmeve kibernetike dhe se disa prej postimeve nuk i ka bërë ai.

Një nga deklaratat që nxiti debat të ashpër ka qenë lidhur me tërheqjen e fondeve nga shoqëria civile. Më konkretisht, cak sulmi nga kryeministri kanë qenë gratë për të cilat ka thënë se kullosin fonde dhe se duhet të kujdesen që të mos braktisen nga burrat e tyre.

“Amerika nuk e lëshon (Kosovën), sepse pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës e duan Amerikën. Ata që ‘frikësohem’ se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”, kishte shkruar ai.

“Mos po i braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon)”, ka shtuar i pari i qeverisë.

Reagim të ashpër kishte bërë edhe ndaj ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“A e di kush çka ka ky gomari i Zajednicës me djemtë e mi?? Të drejtohet kah unë Ukshi se e ka humbur rrugën”, ka thënë Mustafa, teksa reagonte pas një deklarate të Kurtit lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

AGK: Gazetarët të pakënaqur me qasjen e Qeverisë ndaj medieve

Një raport i AGK-së, i titulluar “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve”, që pritet të publikohet të premten, gjen se gazetarët janë të pakënaqur me qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj medieve.

Gazetarët e anketuar në këtë hulumtim pohuan se qeveria, partitë politike dhe gjykatat demonstrojnë pak transparencë.

“77,78 për qind e gazetarëve thanë se Qeveria e Kosovës tregon disi ose pak transparencë”, thuhet në raport.

“Shumë gazetarë thanë se qeveria dhe ministritë zakonisht nuk iu përgjigjen kërkesave të tyre për qasje në dokumente zyrtare”, thuhet tutje në raport./Insajderi.com