Këshilli drejtues i UP-së ka marrë një vendim, i cili e nënshtron universitetin publik para stafit mësimdhënës që mbajnë poste të larta politike.
Ishte data 13 tetor e vitit 2016 kur drejtuesit e Universitetit të Prishtinës, zyrtarisht autonom në ndërmarrjen e veprimeve, vendosën që t’i nënshtrohen politikanëve me ndikim.
Një vendim i marrë me këtë, i cili nuk është publikuar nga UP-ja deri më tash, tregon për nënshtrimin e krerëve të universitetit ndaj profesorëve që mbajnë poste politike siç janë: zv/kryeministri Hajredin Kuçi, ministri Arsim Bajrami, ministri Kujtim Shala, deputeti Bekim Haxhiu-Kamishi e shumë të tjerë.
Insajderi e ka siguruar këtë vendim.
Aty tregohet se drejtuesit e UP-së kanë vënë rregulla rigoroze për stafin mësimdhënës që përveç UP-së ka marrëdhënie pune edhe në institucione tjera, organizata jo-qeveritare, kompani publike apo private.
Ata, sipas vendimit, deri më 31 dhjetor 2016 duhet të deklarohen nëse dëshirojnë të kenë marrëdhënie të rregullt pune me UP-në.
Nëse vendosin që të angazhohen rregullisht në organizata tjera, atëherë në UP mund të paguhen vetëm si bashkëpunëtorë të jashtëm, për orët e mbajtura gjatë një semestri. Kjo nënkupton ndërprerjen e marrëdhënies së rregullt të punës me UP-në.
Por, ky vendim nuk është kaq rigoroz për politikanët.
“Personeli akademik i zgjedhur apo emëruar në poste publike, gjatë periudhës së ushtrimit të postit publik, nga universiteti i Prishtinës do të kompensohet me pagë sekondare”, thuhet në këtë vendim.
Lehtësira për politikanët ka edhe në pikën nëntë të këtij vendimi. Aty tregohet se orari i punës në Universitetin e Prishtinës për stafin mësimdhënës është katërdhjetë orë në javë, përkatësisht nga ora 8:00 deri në ora 16:00.
“Personeli akademik i cili përcaktohet për pagë primare në Universitetin e Prishtinës, janë të obliguar që në Universitetin e Prishtinës të punojnë sipas orarit të punës të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, përveç në rastet e lejuara sipas pikës 6 të këtij vendimi”, theksohet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.
Ky vendim, bazuar në arsyetimin e tij është marrë duke marrë “parasysh se një numër i konsideruar i personelit akademik të UP-së, përveç marrëdhënies së rregullt të punës në UP mbajnë edhe pozita tjera publike në institucione të ndryshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe vijueshmërisë në punë si dhe përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie”.
Me të njëjtin arsyetim ishte marrë vendimi edhe në vitin 2014 nga Këshilli Drejtues i UP-së. Atëkohë, rektor ishte Ramadan Zejnullahu. Por, atëherë vendimi nuk parashihte favorizime për stafin politik.