Abazi paralajmëron qytetarët: Nëse s’i respektoni masat e qeverisë do të keni pasoja

Abazi paralajmëron qytetarët: Nëse s’i respektoni masat e qeverisë do të keni pasoja

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, u ka kërkuar sërish qytetarëve që t’i respektojnë vendimet e Qeverisë, për ndryshe do të detyrohen të marrin masa për të mos e rrezikuar njëri tjetrin, shkruan Insajderi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook se ka thënë se shifrat e vdekjeve në disa vende evropian, siç është Italia janë alarmante, prandaj qytetarët e vendit duhet të respektojnë masat e ekzekutivit.

Abazi ka thënë se janë krenar se si e kanë menaxhuar deri me tani këtë pandemi.

“Ne nuk do të donim kurrë të limitohet jeta normale e aq më pak që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj qytetarëve. Mosrespektimi i vendimeve do të detyrojë personat dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa për të siguruar që të gjithë të mbrojmë njëri tjetërin dhe nuk e rrezikojmë askënd”, ka thënë Abazi.

Më poshtë postimi i plotë i Abazit:

Të dashur miq,

Mbi 10,000 njerez kanë vdekur në Itali dhe mbi 2000 në SHBA deri tani, si rezultat i infektimit me COVID-19. Të dy vendet kanë sistem shumë të zhvilluar shëndetësor e me resurse njerëzore financiare dhe informacion për pacientet me sëmundje kronike. Dhimbja është e madhe, e shifrat janë alarmante.

Ne në Kosovë duhet të jemi krenar se si e kemi menagjuar këtë pandemi deri më sot. Kjo është arritur duke u falënderuar të gjithëve në vijë e parë të frontit: Personelit mjekësor, farmaceutëve, policisë, FSK, prodhuesve e shitësve, furrtarëve, pastruesve të rrugëve, punëtorëve në KEK dhe ujësjellesit e qyteteve, institucioneve të qeverisë së Republikës së Kosovës, duarve që po ziejnë e po bëjnë ushqimin.

Qeveria ka marrë disa masa të reja shtrënguese të cilat duhet respektuar me shumë rigorizitet. Lëvizja lejohet nga ora 6:00h deri ne orën 17:00h. Kur kemi mundësi të lëvizim lirshëm duhet patjetër, PATJETËR të respektojmë distancën 2 m ndërmjet.

Në makinë nuk ka hapësirë me dy metra distancë dhe përveç në raste urgjente nuk duhet të udhëtojmë me më shumë se një njeri- vozitës.

Në market duhet mbajtur distancën, dezinfektimi të bëhet i rregullt përfshirë edhe dorëzat e shportave dhe sidomos sipërfaqet e metalta dhe ato plastike.

Në shtëpi duhet ruajtur distancën gjithashtu.

Shumë nga ne jemi gjenerata që mbajmë rregullat që të mos jemi më shumë se 3 persona së bashku në hapësira publike. Ajo është bërë atëherë nga frika që ai regjim kishte nga populli.

Sot rregulli për dy persona në distancë 2m është vendosur për të mbrojtur çdo qytetar, nga dashuria dhe respekti por edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Ne nuk do të donim kurrë të limitohet jeta normale e aq më pak që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj qytetarëve. Mosrespektimi i vendimeve do të detyrojë personat dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa për të siguruar që të gjithë të mbrojmë njëri tjetërin dhe nuk e rrezikojmë askënd.

U lutemi që të jemi shumë të kujdeshëm dhe të zbatojmë të gjitha vendimet dhe urdhëresat e miratuara nga qeveria dhe të mbështetura nga ekspertët dhe praktikat më të mira.

Bashkë e me disiplinë e mundim COVID-19! /Insajderi.com