Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës sot, duke e quajtur atë akt një zhvillim pozitiv i cili është ndërmarrë nga një “lidership i guximshëm, i matur dhe shtetformues politik”.
LDK vlerëson se ky veprim paraqet hapin e radhës, në drejtim të konsolidimit të sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe forcimin e sovranitetit institucional në Kosovë.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, zhvillimi i sotëm është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve tjera qendrore, që reflektojnë lidership të guximshëm, të matur, dhe shtetformues politik”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga partia e së cilës është kryetar kryeministri Isa Mustafa.
“Lidhja Demokratike e Kosovës çmon lartë rolin esencial të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Zyrës së Bashkimit Evropian, që në koordinim me institucionet vendore, qendrore e lokale, u angazhuan që ky zhvillim t’i kontribuojë klimës së mirëbesimit në vend”, ka thënë LDK.
LDK u ka bërë thirrje partive politike që të kountribojnë në dialogun me Serbinë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës inkurajon përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik, që t’i kontribuojnë dialogut dhe konsensusit, në kuadër të orientimit pro perëndimor të Republikës së Kosovës, të konfirmuar në vazhdimësi nga krerët e institucioneve dhe nga Kryeministri, Akademik Isa Mustafa”, përfundon komunikata. /Insajderi.com