Veriu respekton vendimet e Qeverisë serbe – Policia: Do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet

Veriu respekton vendimet e Qeverisë serbe – Policia: Do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet

Komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, nga ora 18:00 e së premtes, janë futur në karantinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, vendim ky të cilin e ka urdhëruar Qeveria e Serbisë.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, shkruan Gazeta Insajderi.

E pyetur nga Gazeta Insajderi se si do të veproj Policia e Kosovës, tash e tutje pas këtij vendimi. Zyra për Informim ka thënë se ata i kanë marr të gjitha veprimet e nevojshme konformë ligjit.

“Bazuar në situatën dhe rrethanat e krijuara nga pandemia, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve, PK-ja do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet  kompetente, duke përfshirë edhe ato lokale”, ka thënë për Insajderin Policia e Kosovës.

Kryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës për degën e Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi sot ka folur për gjendjen e rëndë që është krijuar në veri të Kosovës pas imponimit të orës policore të Serbisë si dhe vendimit të autoriteteve serbe për të karantinuar komunat kosovare të Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit.

Në një postim në faqen e saj Facebook ajo e ka bërë bashkëpërgjegjëse për dorëzimin e sovranitetit të Kosovës, qeverinë në largim të Kurti duke thënë se ka “ lëshuar leje për strukturat paralele serbe që të administrojnë në mënyrë autonome masat kundër pandemisë brenda shtetit tonë”. /Insajderi.com