“Përplaset” mësimdhënësi me Jasharin, e fton të ndjekë kurs për ta mësuar gjuhën shqipe

“Përplaset” mësimdhënësi me Jasharin, e fton të ndjekë kurs për ta mësuar gjuhën shqipe

Mësimdhënësi nga Prishtina, Mentor Hajrizi, i ka reaguar kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharit, në lidhje me procesin e E-mësimit online, shkruan Insajderi.

Jashari ka deklaruar ditë më parë për Gazetën Insajderi se ajo që po prezantohet në televizion, nuk korrespondon shumë me njësitë mësimore që ata janë duke i bërë.

Mësimdhënësi Hajrizi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Jasharit duhet t’i vijë turp për këto deklarime. Ai ka ironizuar duke thënë se pas pandemisë, do të organizojë një kurs falas dhe në të, do ta ftojë kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharin, të ndjek leksione të gjuhës shqipe.

“Pas pandemisë do të organizoj një kurs falas. Në këtë kurs, kursant do të jesh ti z. Jashari dhe do të mësosh si të flasësh dhe si të shkruash drejt. Me vete, po e bëj një lëshim, mund t’i marrësh edhe disa nga bashkëpunëtorët e tu dhe mësimdhënësit e pafytyrë që paskan folur në ekran. Si nuk ke turp të dalësh para opinionit e të flasësh me ato mendime të varfra?”, ka shkruar Hajrizi.

Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me mësimdhënësin Hajrizi dhe ky ka thënë se e fton Jasharin në një debat televiziv të ballafaqohet në lidhje me deklarimet dhe vendimet e tij skandaloze.

Hajrizi ka përfunduar duke thënë se kryetari Jashari duhet të kërkojë falje publike ose të japë dorëheqje./Insajderi.com/