Lladrovci demanton IKShPK-në: I infektuari me COVID-19 nuk është banor i Drenasit

Lladrovci demanton IKShPK-në: I infektuari me COVID-19 nuk është banor i Drenasit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se i infektuari me COVID-19, i cili u tha se është nga Komuna e Drenasit, nuk është banor i komunës.

Lladrovci ka deklaruar se qytetari i infektuar me koronavirus është banor i një qyteti tjetër, por me origjinë nga Drenasi.

“Rasti, që u tha se është regjistruar në Komunën e Drenasit, nuk ka të bëjë me Drenasin. Ai është qytetar i Komunës së Drenasit, por nuk ka qenë banues në Drenas por në një qytet tjetër. Kjo vjen nga informacionet zyrtare”, ka thënë Lladrovci në një bisedë telefonike me Insajderin.

Në një prononcim tjetër për Insajderin të hënën, Lladrovci ka nënvizuar se asnjëri prej banorëve të Drenasit, të cilët i janë nënshtruar testeve për COVID-19 gjatë ditëve të kaluara, nuk ka rezultuar pozitiv deri ditën e djeshme.

“Të gjithë njerëzit të cilët i kemi dërguar për teste në IKShPK, kanë dalë negative. I kemi pasur në vetë-izolim diku rreth 137 njerëz”, ka thënë Lladrovci.

20 raste të reja me koronavirus në Kosovë janë identifikuar gjatë ditës së sotme, ka njoftuar IKShPK.

“Rastet pozitive janë raste kontakti,  pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKShPK.

Me këto raste, ka shkuar në 165 persona të infektuar me virusin Covid-19 në Kosovë. /Insajderi.com