Qeveria harron Veriun e Kosovës: Në statistika zyrtare nuk i fusin të infektuarit me koronavirus nga atje

Qeveria harron Veriun e Kosovës: Në statistika zyrtare nuk i fusin të infektuarit me koronavirus nga atje

Partia qeverisëse në vend që doli e para në zgjedhjet e 6 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një tabelë me statistika rreth përhapjes së pandemisë në Kosovë. Në fotografinë e postuar nga VV, siç shihet nuk janë llogaritur fare rastet e infektuara me koronavirus në veri të Kosovës.

Në statistikat e publikuara në llogarinë zyrtare në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, figurojnë 145 persona të prekur nga koronavirusi, 23 të shëruar e tre të vdekur.

Partia që qeverisë në vend, në fotografinë e postuar para gjashtë orëve, nuk i ka përfshirë rastet me koronavirus në veri të Kosovës, e që janë mbi 20 të infektuar e një i vdekur.

Dy ditë më parë dy komuna në Mitrovicën e Veriut u vendosën në karantinë, e ani pse nuk u tregua ndonjë vendim zyrtar, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po thotë se urdhri u dha nga ta, shkruan Gazeta Metro.

Mirëpo, rajonin të cilin ‘e izoloi’ vet Kryeministri në detyrë, siç duket ai dhe partia e tij Vetëvendosje, nuk e kanë përfshirë në statistikat e tyre, lidhur me të prekurit nga koronavirusi në vend.

Ndryshe, kontrolli i veriut në këtë situatë pandemie ka qenë temë debati këto ditë, kur Serbia dërgoi edhe mjekë nga Beogradi për t’i trajtuar serbët në veri të Kosovës, në një marrëveshje që e bënë me Qeverinë Kurti.

Kujtojmë se më herët në Kosovë janë raportuar edhe 20 raste të reja me koronavirus që vijnë nga Malisheva, Prishtina, Drenasi e Suhareka, duke e dërguar në 165 numrin total të të prekurve, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e IKSHPK, pa ato të Mitrovicës së Veriut.