Kryeshefi i ri Ekzekutiv i Ujësjellësit: Nuk kam qenë asnjëherë në Vetëvendosje

Kryeshefi i ri Ekzekutiv i Ujësjellësit: Nuk kam qenë asnjëherë në Vetëvendosje

Kryeshefi i ri Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e asnjë subjekti tjetër politik në vend.

Xhafa u emërua sot Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Prishtina” me vendim të Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes. Ai zëvendëson në pozitën e u.d të Kryeshefit të Ujësjellësit “Prishtina”, Kapllan Parduzin, i shkarkuar nga kjo detyrë të martën.

Mediat raportuan sot se Xhafa është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje bazuar në një fotografi të tij në zyrat e këtij subjekti politik.

Xhafa ka thënë se kjo fotografi e tij është shkrepur gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje – pjesë e së cilës ka thënë se ishte në cilësinë e drejtorit teknik të KRU “Prishtina”.

“Nuk kam qenë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie. Sa i përket fotografisë, ka qenë një tryezë dëgjimi publik në të cilën unë kam qenë i ftuar si drejtor teknik i KRU ‘Prishtina’. Nuk ka qenë tubim partiak. Aty kanë qenë të pranishëm Autoriteti Rregullativ për Ujëra, z. Raif Preteni, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Ambientit, profesorë të fakulteteve etj.”, ka thënë Xhafa në një bisedë telefonike me Insajderin.

Xhafa ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballet Ujësjellësi “Prishtina”. Ka thënë se do të bashkëpunojë me kolegët për ta çuar përpara ndërmarrjen.

“Unë jam njoftuar verbalisht për vendimin. Normalisht është vendim të cilin unë nuk mund ta refuzojë sepse unë deri sot kam qenë drejtor teknik dhe vazhdoj të jem. Është sfiduese në këtë fazë kur po ballafaqohemi me COVID-19 dhe që na duhet të furnizojmë me ujë të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.

“Jam i vetëdijshëm për sfidat që mund të na përcjellin, por shpresoj që me ndihmën e kolegëve, të cilët e duan punën, të ecim përpara të gjithë si ekip”, është shprehur Xhafa. /Insajderi.com