
Aleanca Kosova e Re ka shpallur sot zgjedhjet për president të partisë, derisa ka bërë të ditur se në këto zgjedhje do të votohet sipas mënyrës një anëtar, një votë.
Kandidaturë për president ka shfaqur vetëm presidenti i deritanishëm i AKR-së, Behgjet Pacolli, derisa kundër tij nuk ka dalë ende asnjë anëtar tjetër i partisë.
“Zgjedhjet do të organizohen në të gjitha degët e partisë dhe të drejtë vote kanë të gjithë anëtarët e AKR-së. Për t’i menaxhuar këto zgjedhje, AKR ka themeluar Komisionin Zgjedhor (KZ) në nivel qendror dhe është në proces të themelimit të Komisioneve Zgjedhore në Degët e AKR-së”, ka njoftuar AKR.
Mirëpo, Komisioni Zgjedhor i AKR-së i ka bërë thirrje secilit anëtar të partisë që të paraqesin kandidaturën për kryetar të partisë deri të shtunën.
“Komisioni Zgjedhor (KZ), konform kritereve të miratuara u kërkon Degëve të AKR-së që të paraqesin kandidaturat për President të partisë deri më datën 11 shkurt 2017, në përputhje me udhëzuesin për zbatimin e proceduarave për zgjedhjen e Presidentit të AKR-së”, ka njoftuar AKR.
Se këto zgjedhje janë të rëndësishme për AKR-në, tregon edhe mobilizimi i partisë që procesi i zgjedhjeve të përfshijë edhe diasporën kosovare.
“Për të mundësuar përfshirjen e diasporës Kosovare në këtë proces, do të aplikohet edhe votimi elektronik, për të cilin Komisioni Zgjedhor (KZ) do të jap informacione më të detajuara në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e AKR-së.