“Do të luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”, premtonte Kurti, sot hesht për Rashiqin e Kusari-Lilën e akuzuar

“Do të luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”, premtonte Kurti, sot hesht për Rashiqin e Kusari-Lilën e akuzuar

Katër ish-ministrat, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Ata dyshohet se si pjesëtarë të asokohe Komitetit Ndërministror për Privatizim ia kanë bartur jashtëligjshëm katër hidrocentrale konsorciumit turk “Calik & Limak”, shkruan Gazeta Insajderi.

Mbi këto dyshime, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) nisi hetimet ndaj katër funksionarëve të lartë shtetëror rreth tri vjet më parë, më 2017.

Tash e tri vjet kanë ndryshuar shumë gjëra. Nga të katër këta ish-ministra, vetëm dy prej tyre, Mimoza Kusari-Lila dhe Nenad Rashiq, ushtrojnë funksione publike sot.

Sado që fitonte terren me akuzat mbi dyshimet për korrupsion ndaj rivalëve politik, në prag të zgjedhjeve nacionale, Kurti u afrua politikisht me Mimoza Kusari-Lilën, e cila asokohe po hetohej për “faljen e hidrocentraleve” bashkë me Beqajn e PDK-së dhe Gashin e Listës ‘Rugova’.

Kurtin dhe Kusari-Lilën i bashkuan kalkulimet politike dhe votat. Të dy i arritën qëllimet e shumë dëshiruara; Kurti doli i pari në zgjedhjet nacionale, ndërsa Kusari-Lila siguroi ulësen e saj në Kuvend.

Ajo sot shërben në mandatin e dytë me radhë të saj si deputete në Kuvendin e Kosovës.

Në legjislaturën e fundit, Kusari-Lila këtë funksion e ushtron në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. Është pjesë e Grupit Parlamentar të partisë së Albin Kurtit.

Ish-ministri i Punës, Nenad Rashiq, po ashtu është i afërt me kryeministrin aktual në detyrë. Edhe ai ushtron funksion publik në të cilin është emëruar nga Kurti.

Pasi u zgjodh shef i ekzekutivit, Kurti i bëri vend Rashiqit në kabinetin e tij. E emëroi ish-ministrin e Punës, këshilltar të tij politik.

Por, para tetë viteve, tashmë kryeministër në detyrë, Albin Kurti kishe premtuar se do të luftonte pa kursim dhe se i kishte bërë thirrje edhe njëherë korporatave Çalik dhe Limak që të mos e blejnë distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën

Fjalimi i Albin Kurtit në Interpelancën me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me Privatizimin e KEDS në vitin 2012:

Me shitjen e Distribucionit të KEK-ut, korporatave Çalik dhe Limak po iu jepen asetet e KEK-ut, potenciali i KEK-ut, monopoli në tregun e Kosovës, si dhe punëtorët e KEK-ut.

Nëse supozojmë që këto janë shitur në mënyrë të barabartë, pra çereku i shumës prej 26 milionë euro, për secilën prej këtyre katër kategorive, atëherë del që:

1) Të gjitha asetet e Distribucionit (mijëra kilometra të rrjetit elektrik kabllor dhe ajror, mijëra trafostacione dhe stabilimente të ndryshme dhe ato dhjetëra ndërtesa shumëkatëshe anekënd Kosovës) janë shitur për vetëm 6 milionë e gjysmë euro;

2) Potenciali zhvillimor dhe i rritjes së KEK-ut është shitur po ashtu vetëm për 6 milionë e gjysmë euro – pra, komplet e ardhmja e pafundme, gjithçka që do të mund të bëhet në të ardhmen, është shitur për 6 milionë e gjysmë euro.

3) Tregu prej mbi 400.000 konsumatorësh është shitur për 6 milionë e gjysmë euro, që do të thotë se një konsumator kosovar (komercial apo privat), korporatat Çalik e Limak e blenë për vetëm 15 euro.

4) 2.454 punëtorë të KEK-ut u shitën për 6 milionë e gjysmë euro, e që i bie afër 2.650 euro për punëtor – le ta dinë punëtorët e KEK-ut që kontributin e deritashëm, jetën aktuale dhe vitet e mbetura të punës, Qeveria ua shiti kaq, pra 2.650 euro për kokë punëtori. Krejt çfarë kanë bërë dhe do të bëjnë këta punëtorë vetëm kaq vlen për këtë Qeveri: 2.650 euro që bëjnë më pak edhe se paga mesatare vjetore në Kosovë!

Sigurisht që shumë punëtorë do ta humbin punën, disa së shpejti e disa pak më vonë. Nuk mund të presësh që këto dy korporata turke të kujdesen për punëtorët e Kosovës përderisa Qeveria e Kosovës i shiti ata dhe ndërmarrjen e tyre, tamam siç shiteshin dikur skllevërit nga një pronar te një pronar tjetër. Njerëzit po vihen në funksion të pronës: shitet prona dhe bashkë me të edhe njerëzit që punojnë në atë pronë. Trajtimi që Qeveria e Kosovës po ia bën Distribucionit të KEK-ut kur po e shet atë, do të përkthehet në trajtimin që Çalik dhe Limak do t’ua bëjnë punëtorëve të KEK-ut. Shfrytëzimi i punëtorëve do të rritet shumë: privati synon superprofit dhe kjo do të reflektohet prej pagave e orarit të punës e deri te rreziku në vendin e punës.

Premtimet për punëtorë se do të mbahen edhe tri vjet në punë janë tepër pak dhe tepër vonë, përveçse janë vetëm premtime. Për më keq se kaq, ato nuk po bëhen për të mirën e punëtorëve dhe shoqërisë por për rehatinë e Qeverisë me besimin se punëtorët do të heshtin sepse secili prej tyre do t’shpresojë se do ta përfshijnë atë individualisht.

KEK-u është kontribut i madh i brezave të shumtë. Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet prej se është bërë elektrifikimi në Kosovë. Ka njerëz që tërë jetën kanë punuar në KEK dhe tash janë në pension. E gjithë djersa e tyre po shitet shpejt e shpejt dhe shumë lirë. Qindra mijëra njerëz në forma të ndryshme e kanë ndërtuar KEK-un. Miliona njerëz do të varen prej tij në të ardhmen. As ata që kontribuan si punëtorë, as ata që varen prej tij si konsumatorë, nuk u pyetën për këtë vendim makabër të kryeministrit Thaçi dhe ministrit të tij Beqaj.

Shitja e Distribucionit të KEK-ut dhe shtetndërtimi nuk shkojnë bashkë. Qytetarëve tonë ua çel derën mysafiri ose inkasanti i KEK-ut. Pra, miqtë ose shteti. Por, tash e tutje miqtë do të vijnë kurse shteti vjen i privatizuar, shteti vjen i shitur prej njerëzve të shitur. Sepse kaq keq dhe kaq lirë KEK-un mund ta shesin vetëm njerëzit e shitur. Këta njerëz të shitur nuk e kanë vendin në Qeveri por e kanë vendin në burg për krimin që ia bënë shoqërisë dhe pronës publike. Kryeministri Thaçi dhe Ministri Beqaj janë paçavra në duart e huaja të cilët tashmë më shumë fëlliqin sesa pastrojnë për shkak të ndyrësisë që i ka mbuluar.

Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë korporatave Çalik dhe Limak që të mos e blejnë distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën duke përfituar nga kjo qeveri e korruptuar. Ata mund t’i kenë marrëdhëniet e mira me këto dy paçavra por jo me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, jo me punëtorët e KEK-ut dhe jo me popullin e Kosovës. Këtë privatizim do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë.