Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj fushatës linçuese që janë duke e bërë aktivistët e kësaj partie ndaj zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Përmes një komunikate për media thuhet se “LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve”.
Në këtë reagimin LDK ka thënë se “Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme”
“Fryma e fushatatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së”, thuhet në njoftim.
“LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb. LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj”, kanë kërkuar LDK.
Ata thonë se “SHBA meriton respekt dhe falenderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”. /Insajderi.com