Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami ka njoftuar se është shfuqizuar Udhëzimi Administrativ për Gjuhët e huaja në programin e studimit të ciklit master dhe të doktoratës.
Sipas njoftimit, ky udhëzim nuk ka bazë ligjore dhe nuk i ka kaluar fazat procedural për aprovim, transmeton Insajderi.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Të dashur studentë,
Ju njoftoj se është shfuqizuar një Udhëzim Administrativ Nr. 03/2018, i cili ua pamundësonte shumë të rinjve e të rejave vijimin e studimeve të ciklit të dytë (master) apo të tretë (doktoratës).
Për UA Nr. 03/2018, MAShTI ka marrë ankesa të shumta, pyetje, kërkesa e shqetësime nga dekanë, studentë dhe nga disa OJQ. Prandaj MAShTI ka iniciuar rastin me kërkesë në Zyrën Ligjore të Kryeministrit që të shqyrtojë aspektin ligjor e procedural të këtij UA. Zyra Ligjore e Kryeministrit ka konstatuar që UA Nr. 03/2018 nuk ka bazë ligjore në Ligjin për Arsimin e Lartë Nr. 04/L-037, si dhe nuk ka kaluar fazat procedurale për aprovim të parashikuara nga Rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Andaj, sot, ju njoftoj se Qeveria në detyrë me vendimin nr. 04/25 të datës 17.04.2020, ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2018 për Gjuhët e huaja në programin e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë.
Në ndërkohë, MAShTI do të rregullojë në mënyrë institucionale e ligjore këtë çështje duke siguruar kështu avancim të cilësisë në arsimin e lartë, me konsultim të gjerë të te gjitha palëve dhe duke evituar çdo diskriminim dhe shkelje të te drejtave të studentëve.