Xheneta Uka

Dhurimi i 1 mijë testeve për koronavirus nga Serbia drejt shtetit të Kosovës ka bërë jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare.
Pazotësia e kryeministri të shkarkuar, Albin Kurti për sigurimin e testeve të reja për COVID19, ka bërë që Serbia të cilësohet si humane nëpër mediat e huaja.
Dy nga mediat me madhë në botë si “New York Times” dhe “Reuters”, i kanë dhënë një hapësirë këtij lajmi, madje në tekste e tyre Serbia cilësohet si humane. Dhe se këto teste janë dhuruar në shenjë solidaritet për Kosovën, shkruan Insajderi.
Kurti është munduar ta arsyetoj pranimin e testeve nga ana e Serbisë.
Ardhjen e tyre Kurti e ka cilësuar si punë të mirë të tij dhe si gjest të vullnetit të mirë.
Sipas tij, Serbia ka besuar se qeveria Kurti nuk do ti testojë serbët, por pastaj kanë parë që testimet po bëhen pa dallime te etnive dhe kanë vendosur të bëjnë një dërgesë të tillë.
“Serbia ka besuar që Qeveria e Vetëvendosjes nuk do ti testojë serbët, ka pasur një besim të tillë dhe më pastaj janë befasuar për të mirë sesi ne nuk i kemi dalluar qytetarët jo vetëm në bazë të komunave e partive por si kemi dalluar as në bazë të etnisë, për neve të gjithë janë qytetarë dhe virusi s’na dallon neve”, kishte deklaruar Kurti.
Qeveria Kurti të premten u gjet nën kritika për mungesë testesh, pasi kishin mbetur vetëm 1 mijë sosh.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti kishte thënë se një mijë teste janë në depot e kësaj ministrie dhe teste të tjera do të mbërrijnë sonte përfshirë edhe 1 mijë teste dhuratë nga Serbia.
Ndërsa, dy ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë kishte alarmuar se në Kosovë aktualisht ka gjithsej 600 teste dhe pret këto ditë arritjen e 2.000 të tjerave për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri.
Ndonëse, Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, kishte njoftuar më 28 mars se në Kosovë kanë mbërritur 7 mijë teste të reja të cilat do të shfrytëzohen për të detektuar sëmundjen COVID-19.
“Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizmin edhe me dhjetë mijë teste të tjera. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19. Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë. Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës. Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna”, kishte deklaruar ministri Vitia./Insajderi.com