Vëllai i Thaçit thyen ligjin për pandemi

Vëllai i Thaçit thyen ligjin për pandemi

Nazmi Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur masat e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Vëllai i Presidentit të Kosovës ka qenë pjesëmarrës në një aheng të mbajtur dje në Shalën e Bajgorës, ka mësuar Insajderi.

Ai ka marrë pjesë në këtë aheng mes shume personave pjese e të cilëve ishin zyrtarë policorë dhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës, raporton Insajderi.

Gazeta ka mësuar se pjesë e ndejës ka qenë edhe Bedri Mustafa, vëllai i Rrustem Mustafës, ish-Komandantit të UÇK-së.

Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit e këtij ahengu kanë shkelur masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë.

Lidhur me pjesëmarrjen në këtë aheng të u.d të drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkajt, ka paralajmëruar masa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë për Insajderin se ka paralajmëruar masa ndaj ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë.

Ministrja Haxhiu ka thënë shkurt për Insajderin se do t’i ndërmarrë masat e nevojshme lidhur me rastin.

“Masat që do të ndërmerren kanë të bëjnë me veprimet e papërgjegjshme dhe që rrezikojnë jetët dhe shëndetin e të burgosurve dhe stafit korrektues”, ka thënë ministrja Haxhiu në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Rastin e ka konfirmuar edhe Nehat Thaçi, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës. Në një bisedë telefonike me Insajderin, Thaçi ka thënë se sipas informatave të tij, “rasti është në shqyrtim”.

“Unë jam në dijeni por vendimi ende nuk është marrë. Është rast në shqyrtim”, ka thënë Thaçi.

Nazmi Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili theu dje masat e kufizimit të lëvizjes, ishte përfshirë në një incident tjetër në vitin 2016.

Ai kishte kërcënuar një zyrtar të Policisë së Kosovës.

Siç kishte raportuar Insajderi, Nazmi Thaçi ishte ndalur pak pas mesnate nga një patrullë në Prishtinë më 11 nëntor të vitit 2016. Ai kishte armë me vete të cilën kishte deklaruar se e kishte me leje. Por, lejen nuk e kishte me vete.

Kur polici Sami Hoti kishte kërkuar që të dilte nga vetura, kishin pasuar kërcënimet ndaj tij se “do të merren masa për shkak se kishte ndalur pa arsye vëllanë e presidentit”.

Hoti në një raporti kishte shpjeguar arrogancën e vëllait të presidentit.

Nazmi Thaçi i kishte thënë policit Hoti se në brez ka armën me leje, model HS kalibri 9×19 milimetra me numër serik H104072 dhe me 16 fishek në karikator.

Polici në një raport që kishte sqaruar situatën kur ishte kërcënuar nga vëllai Thaçit. /Inasjderi.com

Lexoni hulumtimin e plotë:

Vëllai i armatosur i presidentit Thaçi kërcënon policin