Albin Kurti ka dështuar të shkarkojë kryeshefin Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefin. Ai ka vendosur t’i shkarkojë dy anëtarë të bordit, të emëruar rreth një muaj më parë nga qeveria e tij, pasi ata nuk kanë marrë pjesë në votimin për shkarkimin e Istrefit. Aty pritet të vijnë njerëz të “dirigjuar” nga kryeministri i shkarkuar në mënyrë që t’i realizohet plani për largimin e menaxhmentit aktual.

Anëtarët e bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, të cilët menaxhohen nga Ministria e Tregtisë, kanë dështuar ta shkarkojnë Bedri Istrefin, kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.
Dy anëtarët e bordit të emëruar rreth një muaj më parë nga Qeveria e Kosovës: Luljeta Elezaj dhe Teki Shala, kishin refuzuar të merrnin pjesë në votimin e paraparë të mbahej disa javë më parë.
Ata kishin refuzuar të krijonin kuorumin e nevojshëm në mbledhjen e bordit të Telekomit.
Për këtë arsye, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shkarkuar Elezajn dhe Shalën nga bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës.
Siç mëson Insajderi, Elezaj dhe Shala janë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shala më parë ka qenë drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjakovë nga LDK.
Gazeta mëson se Kurti është duke menduar që në vend të tyre të emërojë “njerëz të tij”, në mënyrë që ta shkarkojë menaxhmentin aktual të Telekomit të Kosovës.
Vendimi pritet të merret ditëve në vazhdim.
Gazeta Insajderi për krejt këto çështje i ka shkruar Zyrës së Kryeminsitrit, Albin Kurti dhe Zyrës së ministres, Rozeta Hajdari, por edhe secilit personalisht – asnjëri deri tash nuk ka kthyer përgjigje rreth këtyre çështje.