Lajmi i fundit: Sharlatanizmi i Shkëlzen Gashit irriton grupin parlamentar të VV-së

Lajmi i fundit: Sharlatanizmi i Shkëlzen Gashit irriton grupin parlamentar të VV-së

Një numër i madh deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje janë të irrituar me deklaratat e Shkëlzen Gashit, këshilltarit politik të Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të Kosovës.

Burime të Insajderit brenda Grupit Parlamentar kanë treguar se disa prej deputetëve të kësaj partie kanë shprehur pakënaqësi ndaj fyerjeve që i janë bërë UÇK-së nga Shkëlzen Gashi.

Ata janë duke i kërkuar Kurtit shkarkimin e këshilltarit të tij, pas deklarimeve të tij publike lidhur me pretendimet për krimet e kryera në luftë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gashi tha sot se raporti i Dick Martyt flet për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kjo organizatë i ka kryer ndaj civilëve serbë, sipas Gashit.

Gashi pretendon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime lufte. E gjithashtu sipas tij, krime kanë kryer edhe individë të mllefosur për shkak se atyre u është bërë padrejtësi nga Serbia.

Kundër deklaratës së Gashit ka reaguar edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se vendimi për Gashin i takon kryeministrit Kurti, por sipas tij nuk pajtohet me ato deklarata.

“Nuk pajtohem me Gashin. Ai është plotësisht gabim. Bile ka gabuar rëndë. UÇK-ja nuk ka bërë krime…Për UÇK-në askush nuk ka mundur të argumentojë se struktura komanduese e saj ka bërë krime”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se deklarata e Gashit është huqje dhe se ai nuk do ta pranonte në kabinet të tij një këshilltar që ka qëndrime të tilla.