Shkruan: Skënder Musa
Gjendja e pandemisë në Republikën e Kosovës ka shkaktuar probleme edhe në sistemin e drejtësisë e sidomos me të burgosurit e në mënyrë të veçantë me të paraburgosurit, të cilët në bazë të dispozitave ligjore konsiderohen të pafajshëm. Në këtë gjendje të jashtëzakonshme edhe pse zyrtarisht nuk është shpall, dhe me ndërprerjen e seancave nga gjykatat themelore të Kosovës pa dyshim që ka dëmtuar të drejtat e palëve në procedurë e në mënyrë të veçantë të drejtat e personave ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit, sepse Kodi i Procedurës penale në neni 5 paragrafi 3, parasheh se çdo heqje lirie, e sidomos kohëzgjatja e paraburgimit në procedurë penale duhet të zvogëluar në kohë sa më të shkurt të mundshme.
Gjendja aktuale është e rënd sepse në burgjet e Kosovës ka numër të madh të personave të dyshuar që ndodhen në paraburgim prej 3 muaj e më shumë për të cilët nuk është zhvilluar as një procedurë, dhe me këtë janë duke ju shkelur të drejtat dhe lirit e njeriut të cilat garantohen me traktate ndërkombëtare dhe me akte shtetërore të Republikës së Kosovës. Paraburgimi si masë e sigurimit të dyshuarit në procedurë me ligj parashihet të jetë e reduktuar e në mënyrë të veçantë për veprat penale që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe jo si në vendin tonë siç është bërë praktikë së pari i arrestojnë e pastaj pas caktimit të paraburgimit i fillojnë hetimet, dhe për këtë shkak jemi vendi që më së shumti kemi të paraburgosur dhe paguan më së shumti për të liruarit e pa fajshëm.
Nuk mund të arsyetohen se nuk kemi ligj për pezullim të aktgjykimeve dhe vendimeve tjera sepse sistemi i drejtësisë nëse vepron në mënyrë funksionale ka një strukturë mjaft të mirë të organizimit. Kodi i Procedurës Penale sa i përket paraburgimit parasheh të drejtën e gjykatës që në çdo fazë të procedurës ta ndër prej posa të pushojnë kushtet ligjor, dhe duke marr parasysh gjendjen që ndodhet vendi me pandemi është e domosdoshme që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të shqyrtojnë këtë çështje dhe të gjejnë një zgjidhje për të dyshuarit që tash ndodhen në paraburgim. Po citojmë për të dyshuarit që në këtë kohë ndodhen në paraburgim sepse numri i caktimit të paraburgimit në kohë pandemi ka rënë ndjeshëm, dhe në këto rrethana prokuroritë dhe gjykatat kanë vepruar me profesionalizëm në pajtim me gjendjen dhe me rrezikshmërinë që ka paraqit vet i dyshuari apo shkalla e lartë e rrezikshmërisë që ka paraqit vepra penale për të cilën dyshohet personi.
Mirëpo ndryshe qëndron puna me të dyshuarit që masa e paraburgimit është caktuar paraburgimi dhe për të cilët nuk është zhvilluar as një veprim hetimor, nuk kanë pas mundësi të dhënë dëshmitë e tyre para prokuroreve dhe vazhdojnë të mbahen në burg. Kjo gjendje paraqet shkelje të drejtave të tyre sepse nuk mund të mbahen në paraburgim në këtë formë pa u dëgjuar dhe përballur me provat që disponon organi që bënë ndjekjen. Nuk mund të arsyetohemi me gjendjen e pandemisë sepse Policia e Kosovës është duke punuar, madje edhe me orar të zgjatur nga 12 orë në ditë, dhe në këtë aspekt edhe prokuroria dhe gjykatat duhet të gjejnë forma dhe pajisje adekuate që të mbrohen nga kovid -19 dhe të punojnë. Shqyrtimi i deritashëm i rasteve të paraburgimeve është jo i drejtë sepse në paraburgim kanë mbet më së shumti personat që nuk pranojnë veprat penale për shkak se veten e konsiderojnë të pafajshëm dhe në këtë aspekt ata kanë të drejtë dhe këtë ua garanton ligji.
Pezullimi i punës së gjykatave dhe prokurorive në kohë pandemie pa dyshim që ka me pas pasoja të rënda në jetën e qytetarëve, ekonomisë dhe në të gjitha sferat e jetës, por gjithashtu do ti bllokojë gjykatat me lëndë edhe më shumë se që ka qenë para pandemisë. Prandaj ne mendojmë se duhet të gjendet një formë e punës e cila nuk do të rrezikoj shëndetin e zyrtareve të gjykatave, dhe palëve tjera në procedurë dhe të fillojë puna duke respektuar kriteret nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës për rastet e ndjeshme e sidomos për rastet me paraburgim. Shqyrtimet e tashme të rasteve me paraburgim janë të pa mjaftueshme dhe nuk plotësojnë as minimumin e të drejtave të palëve në procedurë, prandaj shteti është i obliguar që pa marr parasysh gjendjen të garantoj minimumin e të drejtave të njeriut nëse ato kufizohen dhe ajo është që rastet e tyre të shqyrtohen para gjykatave të paanshme dhe në afate të arsyeshme jo të mbahen në paraburgim nënë me arsyetime se hetimet ende nuk kanë përfunduar. Kjo gjendje pa dyshim është e rëndë për shkak të pandemisë së Covi – 19, mirëpo, kjo gjendje nuk arsyeton zgjatjen e paraburgimeve në afat të pa caktuar ndaj të dyshuarve të cilët në fakt duhet të trajtohen si të pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia apo pafajësi e tyre me aktgjykim përfundimtar dhe pikërisht për këto arsye duhet të shikohen mënyra dhe forma që organet e drejtësisë të fillojnë punën duke marr masa adekuat për ruajtjen e shëndetit për të gjithë pjesëmarrësit në procedurë.