Një truall i blerë në ankand publik nga ATK-ja, e destinuar si tokë industriale në Lipjan, nuk i hynte në punë biznesmenit Fahri Retkoceri. Ai donte ta ndërtonte një objekt banimi aty. Por këtë se lejonte ligji. E kryetari i Lipjanit atë kohë, Shukri Buja, e ndryshoi destinimin e kësaj toke. Kjo i mundësoi biznesmenit që të filloj investimin e tij. Për këtë edhe Buja edhe biznesmeni do të përballen me drejtësinë. Kjo është historia e tokës 8 hektarë që iu shndërrua destinacioni për përfitime personale.
Gjithçka kishte filluar në vitin 2006. Biznesmeni Fahri Retkoceri kishte blerë një truall fiks 8 mijë e 437 metra katrorë. Problemi ishte se toka e destinuar si industriale, nuk i hynte në punë biznesmenit.
Ai donte që aty të ndërtonte një objekt banimi. Për këtë, disa vite më vonë, ai do të kërkonte nga Komuna e Lipjanit, që t’i mundësohej kjo. Por nuk ishte e mundur. Jo pa u ndërruar plani urbanistik.
Edhe pse fillimisht komuna e Lipjanit, e drejtuar atë kohë nga Shukri Buja një nga personalitetet më të rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës, punët kishin ndryshuar më vonë.
Insajderi ka siguruar dokumente që qesin në pah faktin sesi Komuna e Lipjanit, përmes një aktvendimi kishte marrë vendim për ndryshimin e planit zhvillimor urban të qytetit për t’i dhënë mundësi biznesmenit nga Lipjani, Fahri Retkoceri, që të ndërtonte një objekt të banimit kolektiv.
Kjo është edhe arsyeja pse Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj Shukri Bujës, i cili ka qenë kryetar i Komunës së Lipjanit dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës.
Biznesmeni nga fshati Llugaxhi e Lipjanit, Fahri Retkoceri, më 1 qershor të vitit 2010 kishte bërë kërkesë që të ndërtonte një objekt të banimit kolektiv në një zonë që kishte statusin e tokës urbane, me destinim zonë industriale. Ai kërkonte që të ndërrohej plani urbanistik i qytetit.
Biznesmeni dëshironte që të ndërtonte objekt të banimit kolektiv në vendin e quajtur “Rupçinë” në Lipjan, në sipërfaqe prej 8 mijë e 437 metrave katror, raporton Insajderi.
Komuna e Lipjanit, e cila asokohe udhëhiqej nga kryetari Shukri Buja, një muaj më vonë refuzoj kërkesën e biznesmenit duke thënë se “Plani zhvillimor komunal ka mospërshtatje me destinimin” dhe se “Rishqyrtimi i zonës apo revidimit të një zone mund të bëhet vetëm me pëlqimin dhe kërkesën e komplet zonës”.
Mirëpo, një vit më vonë Komuna vendosi që të ndryshonte planin zhvillimor urban të qytetit.
Përmes një aktvendimi të datës 3 tetor 2011, Komuna vendosi që t’i jap dritë të gjelbër kërkesës së Retkocerit për ndërtimin e të njëjtit objekt banesor.
“I lejohet parashtruesit të kërkesës Fahri Retkocerit nga fshati Llugaxhi, ndërtimi i objektit investiv – Objekt i banimit kolektiv, me etazhitet B+P+5, në bazë të Projektit Kryesor të hartuar nga “IEE Sh.p.k N.T.P “Tani” me seli ne Prishtinë, në lokacionin në të cilin është koncentruar parcela kadastrale, në vendin e quajtur ‘Oborr Fabrike’, e evidentuar mbi certifikatën mbi të drejtat e pronës së paluajtshme UL-71409044-2284 YK Lipjan, Zona e II-të”, thuhet në aktvendimin e lëshuar nga Kuvendi Komunal i Lipjanit më 3 shtator 2011.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër dhjetë të pandehurve për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, “Dhënia e Rryshfetit”, “Marrja e Ryshfetit”, dhe “Ushtrimi i ndikimit”, “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit./Insajderi.com