
Nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini në Rubikon të Klan Kosovës e ka komentuar diskursin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti i cili në një rast kishte thënë se “Ramush Haradinaj e ka lëshuar bajrakun” duke iu referuar taksës 100 për qind.
“Ky diskursi pak poetik, dialektik dhe piktoresk për të ndërthurë tema dhe fjali në shumicën e rasteve është falso. Ai i thotë Haradinaj ‘e lëshove bajrakun’, por Haradinaj e ka mbajt atë bajrak. Lëshim do të ishte nëse do të thoshte ‘hajde po e heqim taksën’. Ai ka thënë ‘unë po hiqem, por bajraku jo’. Është krejt e kundërta çfarë ka ndodhur – Kurti e ka lëshuar bajrakun disa herë”.
“Unë po ju them që këto elemente kaq piktoreske mund të dhezin për një kohë të caktuar, por jam absolutisht i bindur se njerëzit do ta kuptojnë që është një falsitet i madh. Veç për 50 ditë ka treguar sa shumë falsitet ka”.
“E kuptoj tifozërinë politike, ata njerëz që kanë votuar më 6 tetor e kanë zor që ta ndërrojnë mendjen menjëherë, por e ndërrojnë. Nëse ka tifozëri në Vetëvendosje ka gjithandej edhe në partitë e tjera. Të gjitha partitë kanë marrë më shumë vota në këto zgjedhje, përpos Vetëvendosjes. Prej zgjedhjeve të vitit 2017 të gjitha partitë politike kanë marrë më shumë vota, veç Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më pak. Mos të mendojnë që e kanë bo ndonjë nam ose revolucion”.
Por, a do të kthehet taksa që u vendos nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në qeverinë e re ku është sërish pjesë partia e tij?
“Kjo është temë që është biseduar në AAK. Do të ishte anakronike ta kërkonim rikthimin e taksës. Rrethanat janë krejt të tjera, ne nuk udhëheqim me qeverinë dhe e dimë që është pothuajse e pamundshme të kthehet tani taksa. Është jashtëzakonisht fëmijërore nëse ne do të thonim ‘po vijmë, por duhet të kthehet taksa’. Nuk jemi më në pozitë që ta vëmë këtë kusht. E kemi vënë këtë kusht kur kemi udhëhequr me qeverinë. Ramush Haradinaj e ka vendosur taksën kur ka udhëheqë me qeverinë dhe e ka mbajt deri në dorëheqjen e tij”.
“Tani nuk jemi në atë pozitë ne. Taksa është hequr nga Albin Kurti. Retorikisht mund të përdoret ky fakt kundër AAK-së. Besoj që edhe nëse nuk e themi, të gjithë e dinë që është pothuajse e pamundur dhe e palogjikshme me insistu për rikthim të taksës në rrethanat që jemi”.
A do të jetë kjo qeveri e varur nga Lista Serbe?
“Kjo është një mit. Qeveria mund të jetë e varur nga Lista Serbe, por Kosova nuk është kurrë e varur nga Lista Serbe. Janë 100 deputetë shqiptarë, meqë po duan t’i themi shqiptarë edhe pse për mendimi tim është diskurs i gabueshëm, prandaj nuk duhet pasë frikë”.
“Qeveria mund të varet edhe prej deputetëve të AAK-së ose LDK-së, nëse e ndërrojnë mendjen. Kosova nuk varet, varet prej secilit deputet që e voton këtë qeveri – edhe prej Listës Serbe”. /Insajderi.com