Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, u dënua nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 18 muaj burg me kusht, për shkak se është gjetur fajtor se mashtroi bankën “TEB” për një kredi 250 mijë eurosh.
Por Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.
“Raiffeisen Bank”-a më 5 maj të vitit 2010 kishte dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij. Shahini dyshohet për veprën penale-mashtrim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 dhjetor 2013 nisi hetimet kundër Agim Shahinit.
Por për dallim prej rastit të TEB-it, rasti i bankës “Raiffesen” ende nuk ka nisur. Kështu së paku thotë, avokati i Agim Shahinit, Granit Vokshi.
“Sa i përket rastit të bankës Raiffesien ende nuk ka nisur ndonjë procedurë ose seancë”, ka thënë Vokshi për Insajderin.
Shahini më 25 shtator 2007 kishte marrë një kredi në vlerë prej 500 mijë eurosh në “Raiffeisen”.
Bazuar në dyshimet e prokurorisë, Shahini nuk e kishte paguar kredinë dhe dëmi ndaj bankës llogaritet të jetë në vlerë prej 548 mijë eurosh.
Shahini dyshohet se e ka tjetërsuar mallin e lënë peng në këtë bankë, i cili përbëhej nga makineri dhe inventar të kompanisë “Besarti Company”.
“Ai (Agim Shahini) me dashje ka shitur pajisjet ekzistuese të lëna peng në Bankën “Raiffeisen”, thuhet në arsyetimin e vendimit të prokurorisë për nisjen e hetimeve./Insajderi.com