Insajderi.com gjatë gjithë javës ka publikuar një seri artikujsh ku ka sqaruar për publikun paqartësinë e krijuar rreth situatës në të cilën u gjend mediumi jonë kohëve të fundit dhe shkëputjes së marrëdhënieve me ish-Drejtorin Ekzekutiv, Parim Ollurin dhe ish-Kryeredaktorin, Vehbi Kajtazin.
Për shkak se hetimet për Olluri-Kajtazin janë në fazën fillestare dhe me qëllim të mos dëmtimit të procesit gjyqësor kundër dy të larguarve për një numër të konsiderueshëm të veprave penale për të cilat ata ngarkohen, Insajderi për ta ruajtur profesionalizimin dhe për të mos i dëmtuar hetimet është treguar i kujdesshëm në gjuhë dhe nuk ka paraqitur të gjitha detajet e kallëzimit penal.
Ideja e këtyre artikujve nuk ka qenë që t’u bëhet gjyqi Ollurit e Kajtazit, sepse atë duhet dhe do ta bëjnë në rrafshin ligjor organet e drejtësisë e në rrafshin profesional komuniteti i gazetarëve në Kosovë.
Por, ne në Insajderi.com – për shkak të shpifjes dhe abuzimit me të vërtetën nga ana e Ollurit e Kajtazit – kemi ndjerë se jemi të detyruar që të japim një shpjegim mirëfilli dhe të detajuar të gjenezës dhe më pas historisë së problemit, deri tek kallëzimi penal dhe padia ndaj tyre, të cilat të plota do të zbulohen në një moment të përshtatshëm, atëherë kur edhe Gjykata do të ketë një verdikt final.
Insajderi.com për shkak të situatës – për një periudhë të caktuar – ka ndaluar prodhimin e lajmeve, sepse kemi konsideruar se tingëllon cinike dhe e pasinqertë me lexuesin tonë, të vazhdojmë punën normalisht sikur nuk ka ndodhur asgjë, derisa të pavërtetat e shpifjet qarkullonin pa-karar.
Lexuesit janë bezdisur me këto të pavërteta duke u tentuar që nëse jo brenda gjykatës, atëherë të fitohet beteja me publikun dhe të krijohet përshtypje e gabuar për gjithçka ka ndodhur.
Kjo është edhe arsyeja që qëndron prapa vendimit për të sqaruar publikisht të vërtetën, sepse krejt në fund, e vërteta nuk është perspektivë, por një fakt kokëfortë dhe ajo duhet të dalë në sipërfaqe.
Por, është tepër e rëndësishme të ceket se dy të ashtuquajturit gazetarë nuk përfaqësojnë shumicën e gazetarëve në Kosovë, madje larg asaj. Në përgjithësi, komuniteti i gazetarëve në vendin tonë janë njerëz profesionalë, me integritet dhe që dinjitetshëm e kryejnë punën e përditshme të informimit – aq jetike për funksionimin e sistemit demokratik si i tërë.
Këtë funksion mëton ta vazhdojë edhe Insajderi.
Tash, pas sqarimit të nevojshëm me situatën e brendshme, Insajderi nga e hëna i kthehet lajmit, informimit, hulumtimit gazetaresk – i kthehet vetvetes dhe misionit për të cilin edhe u themelua qysh në start.
Sepse, siç e thotë Bill Kurtis, veterani dhe ikona e gazetarisë amerikane, “ne gazetarëve na është dhënë licenca për të observuar gjithçka, por me kushtin që atë që e shohim t’ua të tregojmë të gjithëve ‘fer’ dhe pa dredhi”.
Në Kosovë kryesisht gazetarët janë të tillë, por ka edhe devijime të cilat e dëmtojnë, por jo pariparueshëm komunitetin tonë.
Në fakt të tilla raste ke gjithkund në botë, kur kamuflimi në petkun e gazetarit bëhet për qëllime komplet jo gazetareske. Jo pa faj, është bërë e famshme edhe thirrja e autorit Newton Lee se: “gazetarët duhet të jenë rojtarë, jo tyxharë”.
Krejt në fund, por jo për nga rëndësia, ndjejmë se është obligim i yni, që pjesës së stafit të cilët pavetëdijshëm kanë zgjedhur anën e gabuar dhe janë manipuluar nga gënjeshtra që foli zëshëm për një kohë, janë të mirëseardhur të kthehen në vendin e tyre të punës – ne në “Insajderi dot com” i mirëpresim.
Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.
Insajderi.com