Blerta Deliu-Kodra: Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizëm përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese.
Për deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, është e pakuptueshme të bësh politikë që përhapë mjegull e shpërndan të pavërteta kur ajo bëhet nga pozicione udhëheqëse institucionale.
Sipas Deliu-Kodrës një retorikë që mbjellë paranojë edhe mund të arsyetohet kur ajo bëhet nga pozicione opozitare, por ndryshe s’ka kuptim.
Madje, për më tepër, sipas saj kur “këtë e bën prej pozicionit institucional, ofendon institucionin që përfaqëson”.
Kështu ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook, duke i replikuar në distancë një deklarate të krye-parlamentares Vjosa Osmani, e cila në prononcimin para gazetarëve foli për presidentin Hashim Thaci dhe qasjen e tij në raport me dialogun me Serbinë.
“Fati i Kosovës është përcaktim kolektiv dhe tingëllon qesharake kur provohet të reduktohet në një individ të vetëm, pavarësisht pozitës shtetërore që bart, shkruan Deliu-Kodra, njofton Insajderi.
“Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizëm përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese”./Insajderi.com