Blerim Kuçi është pyetur për protestat që pritet t’i mbajë Vetëvendosje. Ka thënë se s’ka gjë të keqe nga protestimi. Madje ai është i mirëseardhur. Ka raste kur protestat e VV-së edhe kanë ndihmuar shumë.
Mbase Vetëvendosja nuk e ka pasur këtë qëllim, por protestat e Lëvizjes të mbajtura në vitin 2007, i kanë ndihmuar shumë diplomacisë kosovare në atë kohë, ka thënë ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, njofton Insajderi.
Kuçi ka dhënë këtë koment, kur është pyetur për protestat që tash pritet t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje në 15 vjetorin e partisë.
Ministri deklaroi se edhe tash s’ka gjë të keqe që të mbahen protesta, ato thjesht duhet të jenë brenda kornizave demokratike.
“E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Unë kam qenë ministër në vitin 2007 dhe me thënë të drejtën protestat e atëhershme i kanë dhënë mundësi më të madhe diplomacisë sonë, i kanë ndihmuar asaj”, ka pohuar Kuçi.
“Çdo protestë që bëhet brenda suazavw demokratike është e mirëseardhur”, ka shtuar ai, përveç nëse del jashtë kësaj kornize.
“Atëherë është gabim”./Insajderi.com