Kadri Veseli është i pakënaqur me qeverinë e Hotit, njëjtë si me atë të Kurtit. Tha se do t’i largojë nga qeverisja ata, për t’u kthyer aty vet.
Duke përdorur si simbolikë vizitën tek shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ka filluar punën qysh tani për ta larguar nga pushteti qeverinë e Avdullah Hotit, njëjtë siç u largua qeveria e Albin Kurtit, njofton Insajderi.
“Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit”, ka thënë Veseli në fjalimin e tij në Prizren.
Veseli premton se “do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare”.
Sipas tij, qeveria e Hotit dallon fare pak nga ajo e Kurtit.
“Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti”.
Duke bërë lojë fjalësh, kryetari i PDK-së, shtoi se “do ta ndalë këtë pandemi politike”.
“Nuk mund t’i pranojmë mashtrimet e atyre që premtojnë shumë dhe dështojnë gjithçka”./Insajderi.com