AGK reagon ndaj vendimit të komunës së Fushë Kosovës për të mos kontaktuar me KTV-në

AGK reagon ndaj vendimit të komunës së Fushë Kosovës për të mos kontaktuar me KTV-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  ka reaguar ndaj siç kanë thënë vendimit të Komunës së Fushë Kosovës për ndërprerje të komunikimit me gazetarët e Televizionit Kohavision.

Ky veprim sipas AGK-së paraqet shkelje të parimeve për respektimin e transparencës.

“Ne kërkojmë nga Komuna e Fushë Kosovës që të kërkojë falje për këtë veprim të papranueshëm si dhe ta tërheqë vendimin që ka marrë”.

“Ne e inkurajojmë Komunën e Fushë Kosovës që të krijojë raporte profesionale me mediat, në këtë rast edhe me gazetarët e KTV-së”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK, u ka bërë thirrje institucioneve vendore, të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike si dhe të jenë të hapura për gazetarët.

Nga ana tjetër KTV konsideron se raporti ka qenë profesional pasi që janë kontaktuar të gjitha palët e përfshira dhe se televizioni nuk ka dhënë asnjë konkludim të vetin.

Drejtoresha e Informacionit në Kohavision Mimoza Koprani-Muqaj tha për Indajderin se vendimi i komunës ka ardhur pas transmetimit të një storie nga KTV me 11 shkurt,  në të cilën ishte trajtuar mos kompensimi i një fermeri të kësaj komune për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

“Në storie kemi pasur një fermer, dëmi nga vërshimet i të cilit ishte vlerësuar 12 mije euro, por që nuk ka marrë kompensimin. Fermeri tregon se si ka kërkuar dëmin edhe në komunë edhe në Ministri të Bujqësisë. Ministri e Bujqësisë thotë se komuna nuk  u kishte dërguar emrin e fermerit, ndërsa komuna e pohonte të kundërtën”.

“Këto fakte i prezantuam ne ndërsa komuna reagoi duke na shkëputur tërësisht komunikimin, gjë që për ne është skandaloze”, tha Koprani-Muqaj. /Insajderi.com