Vendin do ta vizitojë përfaqësuesi i BE-së javën e ardhshme. Por, presidentin e Kosovës nuk e ka njoftuar kush për këtë vizitë.
Jo zyrtarisht është njoftuar se javën tjetër, saktësisht të hënën, Kosovën do ta vizitojë, Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, por presidentin e vendit, Hashim Thaçin, nuk e ka njoftuar ende askush për këtë vizitë, njofton Insajderi.
Kështu është deklaruar vetë Thaçi kur është pyetur se a do të ketë takim me Lajçakun.
“Ende zyrtarisht nuk jam i informuar por do shohim agjendën pastaj do përgjigjem si president i vendit”, u ka thënë Thaçi gazetarëve, derisa po bënte homazhe tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Presidenti ka shtuar se për të më me rëndësi është që “përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si vend i pavarur dhe sovran, çdo qasje tjetër është e dështuar kushdo që të jetë ai”.
Presidenti ka ritheksuar se ai i beson plotësisht qasjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe lidershipit të Donald Trump dhe dinamikës së ambasadorit Richard Grenell./Insajderi.com