Serbia i furnizon me ilaçe zonat ku banojnë serbët në Kosovë

Serbia i furnizon me ilaçe zonat ku banojnë serbët në Kosovë

Shteti i Serbisë ka dërguar sasi ilaçesh nëpër institucionet shëndetësore në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, raporton portali serb në Kosovë “Kosovo Online”, njofton Insajderi.

Një sasi ilaçesh dhe materiale të tjera sanitare janë pranuar edhe në qendrën e mjekësisë në Graçanicë.

Drejtori i kësaj qendre, Bratislav Laziq, ka thënë se këto ilaçe janë shumë të rëndësishme për funksionimin e kësaj qendre dhe gjithashtu tregon përkushtimin e shtetit serb.

“Kjo është një provë tjetër se sa Republika e Serbisë kujdeset për ne. Jemi shumë të lumtur”, ka deklaruar ai.

Në lajm nuk bëhet e ditur se si kanë ardhur këto ilaçe, dhe a ka kaluar i gjithë procesi nën dijeninë e institucioneve të Kosovës.

Edhe më herët Serbia pati sjellur teste për Coronavirus në Kosovë, gjë që kishte shkaktuar polemika të mëdha në skenën politike.

Më pas këto ndihma ishin përdorur si kampanjë nëpër botë se si Serbia lë anash armiqësitë, kur është në pyetje emergjenca shëndetësore.

Gjithashtu nga Serbia kishin ardhur edhe staf mjekësor.

As për këta nuk ishte bërë i ditur nëse janë certifikuar dhe lejuar nga organet e Kosovës për të kryer funksionin e shërbyesit shëndetësor në Kosovë./Insajderi.com