Vjosa Osmani u akuzua se nuk po e vlerëson e nuk po e përmend Ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Osmani reagoi me video – tha se e kundërta është e vërtetë.
Vjosa Osmani ka thënë se jo vetëm sot në ditën e çlirimit, por gjithmonë e kujton dhe lartëson Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo si përgjigje për akuzat që iu bën gjatë ditë se në fjalimin e sotëm në Kuvend nuk e përmendi dhe nderoi UÇK-në, njofton Insajderi.
Osmani thotë se e kundërta është e vërtetë. Jo vetëm për fjalimin e sotëm, por edhe për ato më të përparshme.
“Jo vetëm në këtë seancë, por edhe në çdo seancë tjetër solemne, kam kujtuar e lartësuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandantit legjendar të saj, Adem Jasharit e të gjithë familjes Jashari, si dhe kontributin e të gjithë heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithëve që luftuan e sakrifikuan që sot të jemi të lirë”, shkruan Osmani në Facebook, ku bashkë me tekstin ka shpërndarë edhe një pjesë të fjalimit, bashkë me video si dëshmi.
“Tendenca e disa deputetëve që të mashtrojnë publikun është, thënë më së buti, e padinjitetshme. Më poshtë, mund të ndiqni një insert të shkurtë nga fjalimi im i sotëm, që e dëshmon të vërtetën”.
Ky status me video i Osmanit vjen pasi deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, e akuzoi Osmanin se nuk po e vlerëson dhe përmend sa duhet kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lirinë e vendit.
“Çlirimi i Kosovës nuk ka filluar me angazhimin tuaj në UNMIK. Shumë beteja e luftime, shumë gjakderdhje e sakrifica kishte deri te çlirimi”, ka shkruar Syla, duke dashur t’ia kujtojë Osmanit kohën kur ajo ka punuar në UNMIK, mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ende nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Turp të kesh zonja Osmani!”, shkroi Syla në llogarinë e tij në Facebook./Insajderi.com