Dy qytete në Kosovë kanë mbetur pa kryetar. Agim Veliu e Goran Rakiq lanë komunat për angazhim në qeveri. Tash duhen zgjedhje të reja për zëvendësim të tyre. Por, presidenti s’është gati për dritë të gjelbër – përkundër lirimit të masave.
Podujeva dhe Mitrovica e Veriut kanë mbetur pa kryetar komune, por nuk pritet shpejt ta kenë nga një të ri, njofton Insajderi.
Agim Veliu e la Podujevën për post qeveritar e njëjtë bëri edhe Goran Rakiq me Mitrovicën e Veriut. Në kushte normale do mbaheshin zgjedhje të parakohshme që dikush tjetër të zgjedhet për ta vazhduar pjesën e mandatit, por tash jemi në Pandemi.
Dhe, përkundër lirimit të masave, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shtyrë për një afat të pacaktuar mbajtjen e zgjedhjeve në këto dy komuna.
Zyra e presidentit, në një përgjigje me shkrim ka thënë se presidenti është duke përcjell ecurinë e pandemisë dhe se në konsultim me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave do ta merr vendimin.
“Presidenti në mënyrë̈ të vazhdueshme po e përcjellë̈ ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thuhet në përgjigje.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani, nuk ka dashur të flas nëse do të rekomandojë mbajtjen e zgjedhjeve për këto dy komuna, njofton KosovaPress.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të jetë në pritje të vendimit të presidentit që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve./Insajderi.com