PSD reagon për vrasjen tragjike të 16 vjeçares në Pejë

Partia Socialdemokrate ka reaguar në lidhje me vrasjen tragjike të 16 vjeçares në Pejë ku e ka lidhur me kushtet ekonomike dhe rendin patriarkal që reflekton.

PSD reagon për vrasjen tragjike të 16 vjeçares në Pejë

Partia Socialdemokrate ka reaguar në lidhje me vrasjen e 16 vjeçares në Pejë, Albesa Rudi.

PSD ka bërë një lidhje në mes kushteve të rënda ekonomike dhe ushtrimit të pushtetit nga burrat  që po reflektojnë patriarkalitet.

16 vjeçarja u vra nga një burrë 58 vjeçar, rasti ishte tragjik dhe shokoi qytetarët.

Poashtu, PSD ka kërkuar që të mos spekulohen skenarë për motivet e vrasjes pasi janë të dëmshme. /Insajderi/

Deklarata publike:

 

Quhet Albesa Rudi

Vrasjet e grave janë gjithsesi gjinore. Vrasja e mbrëmshme po ashtu. Mirëpo, identitetet joekonomike janë në pikëprerje me klasën dhe çdo përpjekje për shkëputje të njërës nga tjetra është e njëllojtë sikur kur kërkon përgjigje e zgjidhje tek pasojat, pa i gjetur shkaqet.

Rasti i mbrëmshëm i Albesa Rudit (16 vjeçare) nga Peja, e dëshmon pikërisht ndërlidhjen e kushteve ekonomike dhe pushtetin që burrat ushtrojnë mbi gratë. Nuk është rastësi që kjo vrasje ndodhi në një familje të varfër. Abuzimi është i qartë.

Realiteti neoliberal që ushqen rendin patriarkal, por edhe mirëmbahet prej tij, ka prodhuar marrëdhënie e forma të ndryshme dhune. Relacionet shoqërore që kushtëzohen nga struktura ekonomike dhe politike të pabarabarta dhe në mënyrën si e normojnë pabarazinë, pashmangshëm dërgojnë në vrasje, dhunë dhe shtypje të qytetarëve me më pak pushtet, e që janë gratë.

Diskutimi nga ana e mediave dhe të tjerëve mbi skenare të ndryshme sesi ka ndodhur vrasja, cilat janë hollësitë e kështu me radhë, nuk ndihmon që të zgjidhet dhe adresohet problemi. Përkundrazi trajtimi i tillë shpesh ka ndikuar në stigmatizim të rastit. Ne mund të merremi me rastin konkret, duke u degëzuar në skenare të ndryshme sesi ka ndodhur vrasja, cilat janë hollësitë e kështu me radhë, por kjo qasje policore le t’i lihet institucioneve përkatëse. Madje, individualizimi i skajshëm i rasteve vetëm sa e dëmton diskutimin për dhunën. Urgjent dhe i domosdoshëm mbetet diskutimi për kushtet që prodhojnë dhunën ndaj grave si dhe për formën në të cilën ekziston familja. Institucionet e vendit duhet të merren me rastin në hollësi dhe të raportojnë rreth ngjarjes. Rastet e veçanta duhet të shërbejnë në denoncimin e problemit në përgjithësi. Drejtësia për rastet e veçanta është e domosdoshme edhe për kauzën për drejtësi sociale.

Në të njëjtën kohë që duhet ndëshkuar vrasësit, duhet të hapim diskutim dhe të ndërhyjmë në hapësirat ku shtypja është e lokalizuar dhe e mirëmbajtur nga një moral që mbanë edhe petkun e modernitetit, përveç të tradicionales. Duhet të denoncohen rastet, por përpjekja shoqërore duhet të shkojë drejt adresimit të strukturës ekonomike, por edhe mendësisë që normalizon dhunën.