Fokus, jo garë

Ahmeti: Shifrat janë alarmante, nuk është koha ta gjejmë fajtorin

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se duhet të shtojmë kujdesin dhe bashkëpunimin. Gara se kush menaxhoi më mirë e më keq, është e panevojshme.

Ahmeti: Shifrat janë alarmante, nuk është koha ta gjejmë fajtorin

Në rrjetin social Facebook, në lidhje me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, ka reaguar edhe Shpend Ahmeti. Ai thotë “se nuk është koha të vendosim se cili ministër ka faj, por duhet të kujdesni për veten dhe familjet tuaja”, njofton Insajderi.

“Sapo e kemi marr informatën nga IKSHP sot për 129 raste të reja në Kosovë e 45 në Prishtinë. Këto janë shifra alarmante. Para se të vendosni se cili ministër ka faj, ju kisha lut të mendoni mirë për veten dhe familjet e juaja. Shumica e rasteve janë raste të kontaktit, pra vajtje ardhje me njerëz me virus. Disa janë pa simptome dhe mendojnë se nuk ka lidhje që dalin. Disa mendojnë që është konspiracion i shteteve të mëdha”.

 

Ndër të tjera ai bën thirrje që edhe të mbahet pastërtia si dhe nga tash e tutje menaxhimi i situatës të mos i lihet vetëm Ministrisë së Shëndetësisë, por të decentralizohen testimet në nivel komunash.

“Në qoftë se vazhdohet kështu IKSHP dhe Ministria mund te marrin vendime më drastike, prandaj ju kisha lut ti respektojmë rregullat, pastrimi i duarve shpesh, distanca, dhe në mungesë distance maska.

Ende po i presim detajet nga IKSHP por është e qartë që tashmë gjurmimi është më i vështirë dhe lufta me sëmundjen bazohet në vullnetin e secilit prej neve.

Lajm më pozitiv është fakti se numri i pacientëve me komplikime nuk është shtuar sikurse numri i të infektuarve dhe nuk kemi fatalitete shtesë por kjo nuk do të mbahet kështu në qoftë se rriten numrat e të infektuarve.

Ne si komuna, do të zbatojmë vendimet e qeverisë sipas rekomandimeve të IkSHP por tani mendojmë se është koha për decentralizim të testimeve në komuna dhe shtim të testeve për virus dhe testimeve serologjike. Ajo do të jetë mënyra e vetme për të kuptuar rrjedhën e virusit”. /Insajderi.com